Filma

The General (1926) – Recensim

 

Për shumëkënd periudha e filmave pa zë definohet me emrin e Charlie Chaplin. Derisa madhështia e veprës së tij është e pamohueshme, e edhe e papërsëritshme, nuk është e drejtë të monopolizohet kjo periudhë vetëm me emrin e tij.

Po aq madhështore është edhe puna e Buster Keaton. Nuk është krejt i panjohur, sidomos tek maniakët e mëdhenj të filmave klasik, edhe filmave pa zë; Keaton mbetet në plan të dytë për shtresën e gjerë të filmdashësve. Vepra e tij, kontributi i tij në kinematografi nuk mund të definohet në vetëm një film, por për shumëkënd, ‘The Genera’ është filmi i tij më i mirë.

E filmi bën fjalë për inxhinier, shofer lokomotive gjatë periudhës së Luftës Civile. Atëbotë, burrëria ishte matur me luftë. Dhe për të rënë në sy, për tu fejuar me vajzën që pëlqente, Xhoni Grej – karakteri i Buster Keaton, vendos të lë profesionin e tij dhe të rekrutohet për ushtar. Megjithatë, gjatë aplikimit në pyetjen për profesionin, merr refuzimin pasi që si inxhinier do të ndihmonte më shumë në fitimin e luftës. Por, ec e shpjegoja këtë Anabellës. Edhe vet Xhonit!

Dhe këtu nis seria e ngjarjeve komike të cilat të bëjnë të ‘pshurrësh’ së qeshuri! Janë disa nga skenat më komike që mund ti shihni në film, e nëse marrim parasysh kushtet, kohën kur është realizuar filmi, atëherë vlerësimi i tyre ngjitet në shkallën më sipërore. Xhirimi i disa skenave derisa lëvizën treni, si lëvizën treni, ushtria… të lënë pa fjalë, pa komente! Zor ti shpjegoj, sepse është diçka e jashtëzakonshme. Duhet ta shihni për të më kuptuar. Dhe bëjeni këtë. Nuk është film i gjatë, vetëm gjashtëdhjeteshtatë minuta. Dhe besomëni, mund të jenë gjashtëdhjeteshtatë minutat më të mirë që keni kaluar duke parë një film!

Është art në vete! Është madhështi! Njëri nga filmat më të mirë të bërë ndonjëherë për mendimin tim. Nota personale: 5/5