Filma

Get Out (2017) – Recensim

Filmat me temë racizmin nuk janë të rrallë viteve të fundit, sidomos pas vlerësimeve goxha pozitive nga kritikët dhe esnafet e ndryshme.

Në radhë të parë, kur shohim që pas ‘Get Out’ qëndron emri i Jordan Peele i cili më shumë njihet për skeçe komike dhe komedi të lehta. Është regjia e tij e parë dhe skenari i tij i dytë në filmat e metrazhit të gjatë. Mbi të gjitha është një fushë krejt e re për të – film triler dhe mister, i kombinuar me horror. Dhe kjo e fundit mund të vërehet vetëm me kalimin e pjesës më të madhe të filmit. Pra, për horror, ju nevojiten spoilerat. E spoilera s’do të ketë këtu.

Një çift ndër-racor është pranë një hapi të madh – ai do të takoj familjen e të dashurës së tij të bardhë. Është një rast i veçantë, një vikend në vilën e tyre të ndërtuar thellë në pyll, larg civilizimit. Dhe gjithçka në fillim mund të duket si normale, mikpritja, bujaria, dhe kënaqësia e të punësuarve të cilët e bëjnë krejt këtë të duket si një ndodhi gjysmë-shekulli. Stafi ndihmës disi janë të gjithë afro-amerikan, dhe kjo nis të zgjoj kërshërinë tek Chris Washington.

Roli i Chris vjen nga Daniel Kaluuya të cilin zor që e keni parë më herët, pasi është ndër filmat e parë që shfaqet në rolin e karakterit kryesor. Ndërkohë e dashura e tij nga familja e Armitage-ve, është Allison Williams, me prindërit Catherine Keener e Bradley Whitford. Tashti, të tre këta si karaktere ndihmëse goxha mirë luajnë rolet e tyre që kanë nevojë për diçka më shumë se sa karakteri kryesor. Sidoqoftë, karakteri i Chris është mbi karakteret tjera kur jemi tek aktrimi goxha i zotë i Daniel Kaluuyas.

Krejt ngjarja ndodh sikur në heshtje, në qetësi të tillë sa mund edhe të dëgjosh erën si prek gjethet. Është një skenar shumë i mirë, me një regji edhe më të shkëlqyeshme. Që të dyja nga Jordan Peele. Është një triler me misterin që ju mban të pavendosur me përfundimin se çfarë po ndodh. Dhe gjithë kësaj kohë pas kohe i shtohet ngjyra e horrorit që i jep atë lustrimin përfundimtar që i nevojitet për ta bërë një film të veçantë.

‘Get Out’ është një film që në pamjen e parë nuk premton shumë. Nuk ka zhurmë. Por, del të jetë një realizim shumë i mirë, që e bën disi të veçantë. Nota personale: 5/5