Filma

The Glass Castle (2017) – Recensim

Vitin e kaluar ‘Captain Fantastic’ sikur kishte frymëzuar një revolucion ndaj rendit shoqëror. Dhe krejt atë revolucion këtë vit e sfidon ‘The Glass Castle’. Por, për dallim prej fantazisë së Benit dhe të bijve të tij, rrëfimi tek ‘Kështjella e Qelqtë’ është më ndryshe. Këtu kemi Rex-in i cili përkundër që ka një dije të ngjashme me Benin, sjelljet e tija ndaj të bijve të tij janë më të vrazhda.

Rrëfimi i filmit është i bazuar në librin autobiografik të gazetares Jeannette Walls, e cila në këtë film portretizohet nga Brie Larson e që është e bija e Rexit. Jeannette bashkë me dy motrat dhe vëllain janë të rritura si nomade, në lëvizje nga vendi në vend, pasi Rex dhe bashkëshortja e tij, Rose Mary, janë në një mënyrë anarkistë ndaj sistemit. Nuk paguajnë taksa, nuk besojnë në rendin shoqëror aktual, dhe jetojnë sot për sot. Ajo është piktore, derisa Rexi nuk arrin të mbaj një punë të rregullt, dhe ka një problem. Është alkoolik! Dhe kjo çrregullon jetën edhe ashtu të çrregullt të fëmijëve të tyre.

Derisa jetën fëmijërore deri tek arritja në moshën madhore e vërejmë në pjesën më të madhe të filmit, kohë pas kohe lëvizim në kohën e tashme ku Jeannette është e fejuar me një analist tinanciar dhe e adaptuar në rendin shoqëror ‘normal’. Edhe këtu gjejmë familjen në tërësi, derisa provojnë të sanojnë të çarat nga e kaluara.

Përkrah Brie Larson, në rolet tjera Naomi Watts dhe Woody Harrelson. Të dy kanë një harmoni të bukur skenike duke sjell karaktere në pole të ndryshme. E aktrimi i Woody Harrelson është mbresëlënës. Jo që ofron diçka të papritur nga ai kur të gjithë i dimë aftësitë e tija. Vjen në rolin e një prindi sa dashurues ndaj fëmijëve të tij, aq edhe abuzues për arsyet e lartpërmendura. Në anën tjetër kemi Naomi Watts që provon të jetë si ndërmjetëse, diçka në të cilën i ndihmon edhe Jeannette.

Është film i bukur, sidomos kur kemi parasysh që bazohet në ngjarje të vërtetë. Në fund kemi një pjesë rrëfimi të personave të vërtetë, si dhe xhirime nga jeta e tyre reale. Është një shtesë e mirë, pas një rrugëtimi që në një mënyrë do të preferonit të ishte një trillim, dhe jo një ngjarje e vërtetë. Pjesa më e mirë është ajo me këshillat e Rexit. Ka tepër dialogë, në shumë raste edhe monolog tejet të mençur. Nota personale: 4/5