Filma

Gold (2016) – Recensim

Keni Uells është një biznesmen që provon me çdo kusht të arrij pasurinë e ëndërruar nga shumë njerëz. Bashkë me një gjeolog ai niset në një udhëtim në xhunglat e Indonezisë për të gjetur minierat e arit. Pjesa tjetër është histori.

Histori e cila nuk është e bazuar në ngjarje të vërtetë, por është huazuar nga një ngjarje e përafërt e ndodhur vite pas periudhës së shtjelluar në film, e zhvilluar krejt ndryshe. Për këtë arsye, ndoshta duke provuar ti shmangen sa më shumë kopjimit eventual të ngjarjes kanadeze me frikën se ndoshta s’do të ishte joshëse për publikun amerikan, producentët pësojnë debakël të dyanshëm. Filmi ka qenë edhe dështim kinemash, edhe dështim artistik.

Skenari është aq i përzier, merr aq kthesa të panevojshme se teprohet, bëhet bajat, i komplikuar. Pa lidhje! Kërcen kohë pas kohe, lë hapësira e detaje të pashpjegueshme, humbet, thjesht humbet. Ose ndoshta unë nuk kam arritur ta përcjell me kujdes. Por, dyshoj që është kjo e fundit. Të dy skenaristët pas pesëmbëdhjetë viteve i kthehen zejes së skenarit. Patrick Massett e John Zinman, më herët kanë bërë vetëm një film, ‘Lara Croft: Tomb Radier’, trajektore me të cilin për shkak të xhunglës ndoshta mund të hasim edhe në këtë film. Ndoshta edhe për këtë arsye filmi mbetet në të njëjtin nivel, asgjë më mirë.

Kur nuk është një film i bazuar në ngjarje të vërtetë, më duket shumë i pamend vendimi i Matthew McConaughey të shtojë gjithë atë peshë. Vërtetë e bën karakter më të besueshëm, më të përshtatshëm për rolin që ka, e kur i shtojmë aftësitë e tij prej aktori nuk mund të gjejmë ndonjë të metë. Edgar Ramirez vjen në rolin ndihmës si parter i tij, derisa Bryce Dallas Howard është e dashura e tij. Më ka pëlqyer që kam parë Corey Stoll e Toby Kebell në rolet dytësore, të cilët gjithnjë është qejf ti shohësh, sidomos për fansat e ‘House of Cards’ dhe ‘Black Mirror’.

Në përgjithësi filmi është dëshpërim deri diku. Kthesa të shumta, të panevojshme në skenar. Kompleks. Nota personale: 3/5