Filma

Gravity (2013) – Recensim

movies-gravity-sandra-bullock_1

Teknologjia 3D është e mbivlerësuar dhe kurrë nuk mund të bëhet e popullarizuar për të zëvendësuar 2D në televizion. Disa platforma kanë hapur dhe mbyllur versionet 3D të kanaleve të tyre gjatë viteve të fundit, e as eksperienca e shikuesve nuk ka qenë në shtatë qiej. Të vetmit që kanë përfituar nga 3D kanë qenë disa nga kompanitë prodhuese të filmave. Nëse jo në televizion, atëherë në kinema ka vend për 3D. Por, pak janë filmat që mund të ofrojnë këtë kënaqësi. Gravity është ndër ata pak filma ku mund ta shijoni në maksimum të mirat e 3D-së.

Qysh nga fillimi filmi të mbërthen me hijeshinë sipërfaqësore, me efektet vizuale magjepsëse. S’mund të mohoj se është njëri nga filmat që më së miri tregon nivelin e arritshmërisë teknologjike të kinematografisë në ditët e sotme. Jo vetëm në aspektin vizual filmi lë përshtypje. Ngjarja zhvillohet në stacion hapësinor ku një grup astronautësh janë duke u përkujdesur për mirëmbajtjen e satelitëve. Pra, nuk është asgjë me ata filmat që tashmë janë bërë të bajatshëm me teori konspirative të ndryshme për Hënën. Sigurisht as nuk është ndër filmat fantastiko-shkencor. Është film goxha real, përkundër mohimeve të njohësve të ndryshëm se një ‘ndalim i menjëhershëm i lidhjeve satelitore’, një katastrofë e tillë nuk ka shanse reale të ndodh. Është një ngjarje që zhvillohet në hapësirën pa gravitet, ku për të lëvizur gjithnjë duhet të jesh duke u tërhequr apo shtyrë nga diçka tjetër. As nuk dua të mendoj për ambientin ku është realizuar filmi pasi nuk dëshiroj të prish imagjinatën reale që ofron ‘Gravity’.

Skuadra e astronautëve do të ndeshet me një stuhi diellore që do të shkaktoj probleme në lidhje me Tokën dhe mbi të gjitha do të rrezikoj jetën e tyre, duke i lënë të ngujuar në hapësirë. Pa harruar të përmendim që kjo është hera e parë në hapësirë për inxhinieren Rajan (Sandra Bullock) e cila do të mbetet në luftë për mbijetesë pas stuhisë diellore.

Lufta e Rajan ngjall emocionet tek shikuesi duke krijuar një lidhje më të ngushtë ndërmjet, në këtë ambient jo krejt normal. Ajo kalon nëpër disa faza emocionale në tentim për të mbijetuar, duke prekur edhe mbinjerëzoren. Kjo luftë rekruton edhe shikuesin i cili do të jetë si një luftëtar i saj jo-mercenar, i pakusht. Dhe e gjitha kjo zhvillohet në një ambient të mahnitshëm që sjellin efektet vizuale fantastike. Pikërisht kjo luftë e Rajan e bën këtë film më të thellë se sa vetëm pjesa teknike.

Alfonso Cuaron ka bërë një punë të mrekullueshme në realizimin e këtij filmi që të mahnit me efektet vizuale. Por, megjithatë nuk është aspak vetëm film sipërfaqësor, pa temë. Tema është shumë e mirë, origjinale, e shtjelluar për merak. As mos të flasim për kotësi dhe humbje kohe. Në fakt filmi të le të kërkosh më shumë. Më shumë pamje të tilla, më shumë përgjigje ndoshta. Por, edhe kështu është i përkryer si film.

Filmi më i mirë ndër vite për efekte vizuale. Ndër më të mirët e vitit. Kandidat serioz për Oskar për filmin më të mirë.

Nota personale: 10/10