Filma

Grown Ups 2 – Recensim

Adam Sandler;Chris Rock;David Spade;Kevin JamesOse e pëlqeni ose e urreni Adam Sandlerin. Nëse duhet të bëj zgjedhje ndërmjet këtyre dy grupeve, atëherë më me dëshirë do të futesha tek i pari. Ka një komedi ndryshe, dhe shpesh të pështirë e pa të qeshura, por, megjithatë ka diçka siç e quajnë tek RT ‘humor urine’.

Diçka ka pasur edhe tek ‘Grown Ups’, një skenë qesharake, aty kur Kevin James provon të bëj ski uji. Rob Schneider ka pasur atë kontributin e tij prej një aktori të thjeshtë komedie. Pjesët tjera, mehh…

Tek ‘dyshi’ ngjarjet zhvillohen tri vite pas filmit të parë. Leni (Adam Sandler) është kthyer në Connecticut për të kaluar më shumë kohë me miqtë e tij të fëmijërisë, pas aventurave të para tri viteve. Tani ‘të rriturit’ janë në luftë kundër tinejxherëve të udhëhequr nga njeriu-ujk i Twilight (edhe një arsye shtesë për të urryer filmin).

Është një komedi tipike e stilit të Adam Sandler. Nëse gjeni të qeshura në kësisoj komedi, nëse ‘Grown Ups’ iu është dukur komik, atëherë ‘Grown Ups 2’ do të ju duket akoma më qesharak. Si film artistik, nuk ka asgjë të re, interesante, cilësore. E ky vazhdim nuk është as kushedi sa përmirësim në suksesin financiar në krahasim me pararendësin. S’besoj që do të kemi filmin e tretë.

Megjithatë kur përkrah Adam Sandler, Kevin James, Chris Tucker, e David Spade, shohim emra (deri diku) serioz të kinematografisë si Salma Hayek, Maria Bello, e Steve Buscemi, atëherë vërtetë dalim në kundërshtim me para-perceptimin që ky film duhet ‘të ta shpif’. Dhe pos këtyre emrave serioz, tek ‘Grown Ups 2’ kemi edhe atë bagazhin e aktorëve të rinj, kryesisht me fansa adoleshentësh si Steve Austin e Taylor Lautner, si dhe ‘nepotizëm’ me Jackie Sandler e Patrick Schwarzenegger. Megjithatë, ajka e kastit është Shaquille O’Neal. Për fansat e NBA-së mjafton kjo arsye të shohin këtë film, dhe s’do të dëshpërohen aspak.

Skenat me Shaq-attack, dy-luftimet ku shfaqen ndryshimet ndërmjet ‘të rriturve’ dhe tinejxherëve, si tek mënyra e përshëndetjes dhe beteja finale, rrota, si dhe mbi të gjitha skena kur i biri i Lenit nis të shfaq talentin e një goditësi futbolli, janë ndër më qesharaket; dhe kur them qesharake e kam parasysh qesharake në stilin e Sandlerit. Edhe si zakonisht nuk mungojnë skenat e pështira, që si zakonisht në filmat e Adam Sandler janë me bollëk, skena që nuk i ndihmojnë të qeshurave.

Një komedi tipike e Adam Sandler. Shumë më e mirë se ‘Grown Ups’ për mendimin tim. Nëse e keni parë filmin e parë patjetër shikojeni edhe këtë. Nëse nuk e keni parë të parë, por, jeni fansa të Sandler shihni të dyjat. Përndryshe nuk humbni asgjë.

Luan Morina
Kritik për TV&Film