Filma

Guess Who’s Coming to Dinner (1967) – Recensim

A keni mysafirë në iftar? A në darkë? Zakonisht ne shqiptarët shkojmë kah 50 veta në iftare se jemi familje të mëdha. Edhe atë nuk mjaftohemi me një supë, apo një gjellë. Joooo! Duhet së paku dy gjella, pite, dhe pasi të përfundoj krejt ajo gogësimë, është koha të radhiten çajet e rusit – deri në 15 për person! Ama, ani se është mirë tu japësh të hanë e të pinë. Sevap! Sevap janë 2-3 çaje, por 15?!

Dhe kur jemi tek familjet, zakonisht i kemi të pastra kah gjaku. 110% shqiptare! Të bardha! Kaukaziane! Të një feje! Janë të mëdha! Janë të pastra! Plot dashuri?

Xhon dhe Xhoi janë dy të rinj që janë dashuruar. Fatkeqësisht në Amerikën e viteve 1960ta, sikurse edhe sot në pjesën më të madhe, racizmi mbetet problem. Ne nuk përballemi me diskriminimin e bazuar në racë, por shumica e popullit janë racistë që të shtynë frikën! Shumica e këtyre racistëve po plaken! Po zhduken!

Xhonin dhe Xhoi i dallon raca, por jo ajo çfarë ndjejnë në zemër. Dhe kjo me gjasë i pengon dikë nga prindërit e tyre. Është koha të takohen këto dy familje. Në fakt janë të thirrur në darkë. Gjashtë veta maksimum! E shihni? Jo sikur tek ne 50 veta në darkë! Para dhe pas kësaj ndodhie muhabeti ecën ashtu siç mund ta prisni.

Skenari është i ndërtuar për merak! Ka skena dhe dialogë inspirues të cilat vijnë si rrjedhojë e të njëjtave veçse në theksin e kundërt! Është një kombinim që nxjerr maksimumin nga e mira! E gjitha kulmon me fjalimin ndër më të mirët në histori të filmit të Spencer Tracyt i cili vjen në rolin e të atit të Xhoit.

Dhe çfarë fjalimi për të kurorëzuar një karrierë e cila do ti përfundonte Spencer Tracyt vetëm 17 ditë pas përfundimit të xhirimeve. Mëkat që vet Spencer Tracy nuk ka parë këtë pjesë madhështore të veprës së tij.

Por jo vetëm Spencer Tracy. Sideny Poitier vazhdon të jetë një Muhamed Ali e Martin Luther King, vetëm se në një sferë tjetër. Aktrimi i tij është po aq fenomenal sa edhe i Katherine Hepburn, e Roy Glenn e Isabel Sanford. Kombinuar me skenarin ofrojnë një kryevepër që nuk ka të bëj veç me një darkë.

E ju ndoshta nuk keni askënd për darkë sonte (lumët ju), e ndoshta keni 50 veta shqiptarë. Por, ajo çfarë mund të mësoni nga ky film është që këdo që ju thirr zemra ta thirreni për darkë, thirreni. E racizmin kur ta lexoni, le të jetë si një shije e hidhët limoni që ju rrëqeth trupin. Nota personale: 5/5