Filma

Her (2013) – Recensim

her-joaquin-phoenix

Spike Jonze sjell një film me temë futuristike, të realizuar për mrekulli, me një ritëm të lehtë, të qetë, të këndshëm që përkundër temës të çuditshme që ka, të aktivizon emocionet ndaj karaktereve, pa marrë parasysh sa njerëzore që janë.

Theodore është një ‘shkrues letrash’, ta quaj ashtu. Mund ta quajmë edhe si një ish-shkrimtar, apo gazetar, por, profesioni nuk ka të bëj aq shumë me filmin sa ka të bëj karakteri i tij. Është një ëndërrimtar, burrë ish-i martuar, anti-shoqëror deri në një masë. Në një të ardhme të afërt, njerëzit do të kenë sistemet operative të pajisjeve të tyre me një ndërfaqe shumë më të zhvilluar, më njerëzore, por, megjithatë do të jetë vetëm sistem operativ. Kështu është edhe Samantha, sistemi operativ i personalizuar i Theodore. Në Samanthan ai gjen qenien që e bën të ndjehet më vetvetja se kurrë, derisa Samantha në Theodore gjen personin që do ta bëj të ndjehet më njerëzore se kushdo tjetër.

Është një temë, ta quaj e çuditshme do të ishte e paktë, ta quaj e pamundur do të ishte një sfidë ndaj ritmit të zhvillimit të teknologjisë. Pra, Theodore dashurohet në Samanthan, që është sistem operativ, pra, vetëm një zë dhe program i pajisjeve teknologjike. Kjo e bën të çuditshëm skenarin, temën, por, megjithatë Spike Jonze e shtjellon mirë këtë. Fotografia është e mirë, ngjarja aspak e kotë, kamera ka fokus të shkëlqyeshëm në ngjarje, kinematografia goxha e mirë.

Por, mbi të gjitha shkëlqen Joaquin Phoenix. Kur kujtoj ‘The Master’ dhe nominimin e tij për Oskar sezonin e kaluar, atëherë sinqerisht hamendem nëse ky aktor nuk është në gjendje të perfeksionoj çfarëdo roli që i jep. Është mishëruar me rolin në mënyrë të përkryer, të bind që vërtetë është një njeri i dashuruar në diçka jo-reale, të pamundur. Janë skenat e dëshpërimit që pasqyrojnë më së miri këto emocione që duken shumë të sinqerta. Pastaj mos të nis të përmend edhe dialogët që ka me ata pak persona real në film, Amy Adams e Rooney Mara. Të dyja këto, sidomos Rooney Mara më kanë pëlqyer me aktrimin e tyre në këtë film. Maran e kujtoj nga ky vit edhe me ‘Side Effects’ ku ka një rol më negativ, dhe më të rezervuar, më të ftohtë se këtu tek ‘Her’. Këtu për ato pak skena shkëlqen kundrejt karakterit të Theodore. Ajo në film luan rolin e ish-gruas së tij, dhe duket se është i vetmi person me sens ‘normal’, ndoshta për faktin që akoma shkruan libra ‘të ngurtë’.

Sidoqoftë pjesa më e madhe e filmit përfshin Joaquin Phoenix dhe zërin e Scarlett Johansson. Nuk do të flisja për Johansson, pasi për disa që mendojnë se ajo meriton ndonjë nominim, apo vlerësim të veçantë, thjesht mendoj se teprojnë paksa. Është një performancë e zakonshme, që në fakt mendoj se ka mundur të jetë edhe më e përkryer nga ndonjë alternativë tjetër. Megjithatë bën punë të zellshme, si çdo zërim tjetër, dhe nuk ka ndonjë anë negative në pjesën e saj. Për më tepër e bën më reale lidhjen ndërmjet Theodore e Samanthas.

Dialogët, zhvillimi i ngjarjes, më kanë pëlqyer së tepërmi. Fundi jem një mesazh të qartë mbi ndjenjat njerëzore dhe absurditetin e kësaj historie. Deri aty, pa përjashtuar fundin, kemi një film shumë mirë të përgatitur, me një temë tejet origjinale, që meriton edhe lëvdata shtesë për këtë, nga Spike Jonze.

Nota personale: 9/10

Luan Morina

Kritik për film