Filma

Hidden Figures (2016) – Recensim

Shyqyr Zotit që mendja nuk zgjedh ngjyrën e trupit të cilin do të udhëheq!

Dhe janë tri gra me mendje të ndritur të cilat po kontribuojnë në dërgimin e anijes kozmike amerikane në Hënë. Në kohërat e Luftës së Ftohtë, lufta për kozmosin ishte një fushë tjetër që tregonte fuqinë. Luftë në të cilën SHBA-të kishin mbetur mbrapa. Një faktor tjetër në këtë ngecje do të ishte edhe racizmi i brendshëm në NASA.

Katherine, një vajzë afrikano-amerikane gjenialiteti i së cilës në matematikë ishte vërejtur qysh në fëmijëri duhet të ecën qindra metra për të kryer nevojën e saj fiziologjike, gjithnjë derisa bën llogaritjet shifrat e të cilave ndryshojnë pothuajse çdo orë. Dorothy është shoqe e Katherine e cila punon në NASA, por në një departament tjetër tani, ku udhëheq një grup të numëratoreve të cilat në një moment do të rrezikohen edhe nga zhvillimet teknologjike. Mary Jackson është ndoshta më e egra nga tri shoqet, e pafrikshme dhe e vendosur për të luftuar racizmin.

Në anën tjetër të tregimit kemi Jim Parsons si një racist klasik, Kirsten Dunst si një raciste të paqëndrueshme, dhe Kevin Costner i cili sjell ndoshta rolin më të pëlqyer në film. Këtij kasti i cili kryen një punë të përpiktë i bashkohet edhe Mahershala Ali i cili vjen në një pjesë më të vonshme të filmit për të ofruar kontributin e një njeriu larg paragjykimeve raciste. Është një film që sfidon, rrënon paragjykimet racore.

Skenarit bukur të përpiluar i ndihmon në veçanti aktrimi i kastit të lartpërmendur. Vet fakti që bazohet në ngjarje të vërtetë sikur i jep një shije dhe emocione shtesë për neve si shikues. Puna e Theodore Melfi është për tu lavdëruar, por megjithatë nuk i ikën trajektores pak jo-serioze të cilën në total mund ta shohim tek ‘St. Vincent’.

Sidoqoftë, ‘Hidden Figures’ mbetet njëri ndër filmat më mbresëlënës në lidhje me racizmin. Na sjell një anë tjetër, një ndjenjë tjetër kundër temave të racizmit. Kësaj radhe nuk ndjejmë vetëm dhembshuri dhe keqardhje për karakteret kryesore të cilat janë viktima të racizmit. Kësaj radhe ndjejmë lakmi, glorifikim, dhe krenari që nuk jemi racistë. Nota personale: 5/5