TV Reviews

Homeland – Sezoni 6

Prej fillimit të sezonit ka qenë e qartë që ky sezon do të jetë luftë ndërmjet Dar Adal edhe Saul Berensonit. Gjithçka ka dal në pah me udhëtimin e Saul në Izrael, kur edhe del në pah qartazi kjo luftë e ftohtë.

Sezoni nis me Carrie tashti në rol të ri, në mbrojtje të myslimanëve të paragjykuar në SHBA. Dar Adal provon të zgjat dorën e tij dominuese edhe mbi presidenten e porsa-zgjedhur, derisa më në fund Saul duket se ka vendosur të çoj kokën kundër Darit. Edhe Quinn është akoma gjallë, por jo sikur më parë. Kaq për ata që akoma nuk kanë përfunduar sezonin.

Tashti SPOILERAAAAAAAAA

Lufta ndërmjet Saul edhe Dar Adal ka qenë moti duke u zier. Më në fund doli në sipërfaqe, dhe mu në kohën e duhur – për ti dhënë një shtytje, ndoshta edhe finale, serisë. Dhe kësaj radhe Dar Adali përkundër gjithë veprimeve të tija nuk doli të jetë aq i palëkundur. Goditja e Carriet në thembrën e Akilit duke i ‘kidnapuar’ të bijën na jepte një përshtypje që ndoshta as kësaj radhe s’do të ketë duel. Edhe s’do të kishte pasi Carrie hezitonte, edhe shumëçka ngjante në procese që të mohonte një luftë të tillë. Fitorja e Adal ishte pothuajse e garantuar me ndryshimin e dëshmisë së informuesit iranian. Ishte një nokaut për krejt neve që donim këtë luftë, mirëpo, hoteli dhe pastrimi i rrobave ndryshoi këtë nokaut.

Pjesa e fundit doli nga shtegu, duke mos kursyer as bombardimet, as sulmet terroriste nga brenda të orkestruara, asgjë. Dalja anarkike nga seriali pas vdekjes së Brodyt u kthye me vrasjen e Quinn. Derisa për Brodyn shumica nuk kemi pasur ndonjë afinitet për shkak të së kaluarës së tij, për Quinnin besoj që shumica kemi qenë në të njëjtën trajektore të ndjenjave. Kjo është ndihmuar më shumë pas aksidentit të tij sezonin paraprak. Aktrimi i Rupert Friend ka qenë senzacional këtë sezon. Meriton nominim për Emmy në fund të verës.

Aty në mesin e të nominuarëve mund të presim edhe Claire Danes si zakonisht. Megjithatë s’do të merrem me çmime. Jo më! Janë jorelevante. Madhështia e këtij sezoni s’mund të dëshmohet me to, e me asgjë tjetër, përfshirë edhe këtë shkrim. Duhet ta shihni që të kënaqeni me dramë e triler maksimal.

Çdo episod na ka lënë të menduar, të heshtur, duke provuar të tretim ato çfarë ndodhnin. Ka pasur shumë ndryshime kahesh, sa për të na përzier trurin çdo episod. Edhe finalja mos mendoni që është diçka e qartë. Mos mendoni që Dar Adal ka humbur,  përkundër asaj që është në burg. Arrestimi i Saul Berenson vetëm sa vërteton që asgjë s’ka pasur rezultat të qartë në fund. Pa fitues, edhe pse të gjithë mund të marrin qëndrimet e tyre.

Aktrimi i shkëlqyeshëm i F. Murray Abraham ka dal në pah më shumë këtë sezon kur ai bëhet ndër figurat më kryesore të ngjarjes. Sezoneve të kaluara ka qenë më në plan të dytë. Kur jemi tek ky, shikojeni patjetër filmin ‘Amadeus’. Edhe ‘The Princess Bride’ me Mandy Patinkin. Shtesë e mirë këtë sezon ka qenë edhe Elizabeth Marvel, e cila më në fund do të bëhet presidente, pas dështimit tek ‘House of Cards’! Karakteri i gjeneralit, i njohur për shumë role negative, edhe ai i iranianit kanë qenë shtytës të mirë, përfshirë edhe Maksin. Nervat mi ka prishur pseudo-Alex Jones, i nevojshëm për tregimin por i tepruar disi.

‘Homeland’ ka pasur njërin ndër sezonet më të mira deri tani. Nota personale: 5/5

p.s. mos të harroj edhe Xhudithin, gruan e Allan Harper e cila Akoma është e njëjta 😊