TV Reviews

Homeland – Sezoni 7 (me spoilera)

Seritë zakonisht shkojnë duke u bërë të kota kah fundi. Ngjashëm do të duhej të ishte edhe me sezonin e parafundit të ‘Homeland’. Mbetur në një pikë goxha të hatashme sezonin e kaluar, si zakonisht, sezoni vazhdon pak më ndryshe se herët e kaluara. Nuk e ka atë tensionin e duhur qysh në fillim, dhe gjithçka që vazhdon mbetet në të njëjtin nivel të tensionit, pa shumë oscilacione në episodet vijuese.

Është më shumë një luftë e brendshme për postin e presidentit, e paqartësuar mirë, e paplanifikuar mirë. Provon të marr disa kthesa të papritura, pos në episodin e parafundit, nuk ia del të bëj këtë në shumicën e episodeve tjera.

Duket të jetë pa ide, një tregim i tepruar. Është një luftë pa armik të qartë, një luftë disi me vetveten. Vendosja e radio-gazetarit si armiku kryesor, pastaj lufta me agjentët rus, disi hedh shumë trajektore me gjendjen reale – Alex Jones dhe aksioni anti-Trump. Personalisht, për një pjesë të gjatë kam dyshuar që edhe Dejvid mund të jetë pjesë e agjentëve rus. Më pas Dejvid del të jetë një interesim më shumë se vetëm shef stafi për presidenten Kiin. E roli i saj si presidente këtë sezon vetëm sa ka degraduar.

Karakteri i Kerrit ka qenë goxha mirë i zhvilluar, duke gërshetuar jetën private dhe profesionale. Nuk është ajo Kerri e kaluar, duket e lodhur, e zbrazur, dhe krejt këto para episodit të fundit. Karakteri që është zhvilluar më së miri duket të jetë Solli. Më në fund i është shpaguar krejt puna që ka bërë në sezonet paraprake, dhe së bashku me Kerrin janë në një pozitë të përkryer për sezonin e fundit.

Duhet të përmend edhe karakterin e zëvendës-presidentit, Beau Bridges dhe aktrimin e tij. Në fakt ka qenë ndoshta i vetmi që ka mbajtur të paqartë qëllimin e tij, përkushtimin e tij të them. Është ai që ka mbajtur atë tensionin, para episodit të parafundit në Moskë, që ka qenë edhe episodi më i mirë i sezonit. Mos të harrojmë edhe episodin e përleshjes së autoriteteve me Bretin dhe forcat civile konservative.

Duket sikur një sezon paksa i lodhur, por jo zhgënjyes për fansat e ‘Homeland’. Bëjnë mirë që përfundojnë me sezonin e tetë. Nota personale: 4/5