Filma

How to Train Your Dragon 2 (2014) – Recensim

Filmi i parë ‘How to Train Your Dragon’ ka qenë i mahnitshëm. Origjinaliteti, shtjellimi i këtij universi të ri në disa forma kinematografike nga filmat e shkurtër, serialet me karakteret dytësore, specialet e ndryshme festime, përkrah nivelit të shkëlqyeshëm të realizimit të filmit, e bënin të pamundur tejkalimin e këtij suksesi nga filmi pasardhës.

Por, përkundër të gjitha parakushteve për të qenë një vazhdim inferior ndaj të parit, ‘How to Train Your Dragon 2’ e çon edhe në një nivel më lartë botën e dragonjve dhe banorët e Berkut. Hiccup dhe Toothless (Lemza dhe Shtërbani siç preferoj ti përkthej) tani zbulojnë një shpellë të akullt që është vendbanim i qindra dragonjve të ri të egër, dhe Kalëruesit të Egër e të mistershëm. Të dy e gjejnë veten në mesin e një lufte për paqen e krijuar ndërmjet dragonjve dhe vikingëve.

Tema na sjell shumë risi në botën e kalëruesve të dragonjve, duke na dërguar në një udhëtim në të kaluarën. Derisa filmi shpalos historinë e kësaj bote, na përgatit për një të ardhme që do të jetë krejt e paparashikueshme. Filmi kalon nëpër të gjitha ambientet e mundshme duke prekur shumicën e zhanreve me ofrimin e skenave komike, pjesës së dramës familjare, aventurave që përsëri nga çojnë në pamjen e zogut që është ndër pjesët më me adrenalinë të këtij filmi, si dhe pa harruar aksionin.

Më pëlqen kasti që huazojnë zërat në këtë film, i madh e i vogël qoftë me hapësirë. Skocezët e preferuar – Gerard Butler e i madhi Craig Ferguson janë të përcjell nga Jay Baruchel e America Ferrera, pa harruar Cate Blanchett, Jonah Hill, TJ Miller, Kristen Wiig, dhe Kit Harrington karakteri i të cilit megjithatë di diçka. Janë zëra që përshtaten me botën e dragonjve prandaj pjesa e kastingut në këtë film është për tu lavdëruar.

E në pozitën e regjisorit dhe bashkë-skenaristit kthehet Dean DeBlois i cili ia ka haber animacionit e kësaj bote të dragonjve. Regjia e skenari shkëlqejnë, me këtë të fundit duke provuar jo pa-sukses të sfidoj mjeshtri si The Lion King të cilat mbeten të pakapshme akoma.

Nuk është The Lion King, por How to Train Your Dragon 2, por trashëgon dhe tejkalon filmin e parë të dragonjve ashtu siç nuk kishte arritur të bënte vazhdimi i The Lion King. Është filmi më i mirë i animuar i vitit 2014 për mua. Nota personale: 5/5