Filma

Ice Age: Collision Course (2016) – Recensim

Edhe një herë janë kthyer kafshët e epokës së akullt. Dhe do të kthehen përsëri, sigurisht. Rezultatet financiare nga kinematë janë të kënaqshme, dhe derisa këto janë në nivel, pse mos të bëhen filma tjerë. Fëmijët nuk kërkojnë shumë kreativitet apo ndryshime për dallim prej neve.

Meni, Diego, e Sid bashkohet me Bakun për të parandaluar një rrebesh meteorësh që do të shkatërron planetin tonë. Bëjnë çfarë bëjnë, provojnë metoda e ide të ndryshme, por nuk heqin dorë. Disa nuk i kryejnë punët siç duhet, të tjerët vetëm çka bëjnë dëme. Plani ndryshon disa herë, shifrat e parashikimet ndryshojnë.

Nejse, s’di pse mundohem të përshkruaj diçka kaq të pakuptimtë. Shumicën e filmave të serisë ‘Ice Age’ më kanë pëlqyer. Por, e kanë tepruar tashti, dhe krejt e njëjta gjë, vetëm se fëmijët po rriten e karakteret e rritura po plaken. Bashkë me Ray Romano, Denis Leary, e John Leguizamo, kemi edhe astro-fizicistin e njohur Neil deGrasse Tyson. Pastaj janë Jesse Tyler Ferguson, e Max Greenfield nga serialet komike tashmë veterane, ‘Modern Family’ e ‘New Girl’ si dhe Jennifer Lopez, Nick Offerman, Adam Devine, e Jessie J. Ka emra, por as për zërat e këtyre s’ja vlen të ktheheni edhe për një film.

Nëse jeni prindër ose keni fëmijë, është një periudhë e mirë për të kaluar me ta. Por, asgjë më shumë. Nota personale: 2/5