Filma

In a Lonely Place (1950) – Recensim

“Linda kur më puthi. Vdiqa kur më la. Jetova ca javë ndërmjet, derisa më donte.”

Bazuar në librin me të njëjtin emër të Dorothy B. Hughes, ‘In a Lonely Place’ është një film-noir pak më ndryshe se bashkëkohësit e tij. Tregimi përqendrohet rreth një skenaristi i cili në një kohë të papërshtatshme kërkon të gjej inspirimin për të kryer një projekt i cili nuk i shkon për qejfi. Në mesin e krejt kësaj tollovie, Dikson Still, del të jetë i dyshuari kryesor pas vrasjes së një vajze e cila së fundmi ishte parë në apartamentin e tij.

Humphrey Bogart vjen në rolin e Diksonit, duke sjell në pah aktrimin e tij të zakonshëm – një tip indiferent, i ftohtë në pamje të parë, e cila e bën të përshtatshëm për t’u dyshuar edhe si vrasës. Përballë apartamentit të tij jeton Llorell, e cila do të ketë ndikim të madh në dëshminë e saj në polici. Karakteri i saj vjen nga Gloria Grahame, e cila ka një harmoni të mirë skenike me Humphrey Bogart në këtë film.

Regjinë e bën Nicholas Ray, i cili ka bërë edhe regjinë e ‘Rebel Without a Cause’. Si regjia, edhe skenari, sot mund të na duket që ka shumë hapësirë e vrima, por nëse e krahasojmë me filmat e asaj kohe, nuk mbetet shumë inferior.

Edhe pse nuk mund të konsiderohet ndoshta si kryevepër e zhanrit të errët, ‘In a Lonely Place,’ ndihmuar nga aktrimi i dy Bogart e Grahame, del të jetë një film i këndshëm për fansat e filmave noir. Nota personale: 4/5