Filma

Inside Llewyn Davis (2013) – Recensim

Në këtë periudhë kur prodhimtaria e filmave është pothuajse e pakufi, është zor të bësh një stil, një emër. Coenët e kanë bërë këtë dekada më parë. Të krijosh një stil në vete, të përziesh shumëçka në diçka që mundohesh ta bësh speciale mund të jetë goxha zor, por ta ruash atë është edhe më vështirë. Coenët po arrijnë ta ruajnë veten nga ndryshimet, ndoshta edhe me kokëfortësi të tepruar. E them këtë duke pasur parasysh faktin që nominimet e shpërblimet për punën e tyre po mungojnë së fundmi.

‘Inside Llewyn Davis’ ishte nominuar për dy Oskarë. Asnjëri direkt për Coenët. Por, me mëritë ishte veçuar kinematografia dhe miksimi i zërit. Për të parën është vështirë të gjeni diçka që nuk keni parë më herët në veprat e tyre. Hija, ndjenja e mjegullt që e gjeni në përshkrimin vizual një javor të jetës së një këngëtari të ri në Greenwich Village ju lë mbresa po aq sa vet skenari, e mbi të gjitha zërimi dhe këngët e kënduara në këtë film.

Macet janë krijesa të tmerrshme. Disa prej tyre mund të lindin deri në dhjetë kotele për një vit, e mos të flasim për përzgjedhjet e tyre në ushqim. Për këtë arsye qenët janë miku më i mirë i njeriut. Por, megjithatë edhe macet e kanë vendin e tyre të veçantë për një njeri që do të ndjehej më i afërt me kafshët se sa me shumicën e njerëzve. Tekefundit ato nuk flasin gjëra të marra si shumica e atyre që na rrethojnë.

Macja i sjell probleme të shumta, mos të them të gjitha Llewyn Davisit. Ai është karakteri kryesor në film, këngëtari aspirues jetën e të cilit e shohim nga plani i parë në këtë film. Ky karakter jetësohet nga Oscar Isaac me njërin nga aktrimet më të mira të karrierës së tij. Ai ndihmohet nga e mahnitshmja Carey Mulligan si Jean, e krijimtaria muzikore si në skenë si pas saj vjen nga Justin Timberlake, i cili ka provuar aktrimin, por… Gjëja më e lezetshme në këtë film ndoshta është karakteri i ta quaj muzës së Coenëve, John Goodmanit.

Më e mira e Ethan e Joel Coen është që nuk tjerrin filmat për kohë të gjatë. Atë çfarë duan ta përçojnë e bëjnë për më pak se dy orë. Për këtë filmat e tyre janë të thjeshtë, të lehtë, të lezetshëm. I tillë është edhe ‘Inside Llewyn Davis’. Nota personale: 4/5