Filma

It Happened One Night (1934) – Recensim

Asgjë nuk të ndreq qejfin si një komedi e mirë. Nevojën për komedi të mira, në kohën e Depresionit të Madh e kishte edhe populli amerikan. E për të ndrequr qejfin e popullit, kinematografia ka pasur emra si Frank Capra. ‘It Happened One Night’ konsiderohet si filmi i parë i zhanrit ‘screwball comedy’ ku karakteri femër dominon lidhjen duke sfiduar burrërinë e mashkullit. Komedi të këtilla kryesisht bazohen në diferencat sociale që zotërojnë karakteret në lidhje. ‘It Happened One Night’ shihet si abetarja e këtij zhanri.

Tek ky film, Ellie (Claudette Colbert) është një vajzë e një pasaniku e cila arratiset nga babai për tu martuar me të dashurin e saj Jameson King. Rrugës për në Nju Jork ajo ndeshet me Peter-in (Clark Gable), një gazetar në probleme me firmën e tij. Me të kuptuar të vërtetën për Ellie, Peter vendos ti ngjitet asaj përgjatë udhëtimit që të nxjerr një tregim që do të shiste më shumë gazeta. (me sa duket thashethemet paskan qenë ‘in’ edhe para një shekulli).

Derisa ngjarjet zhvillohen, ngjashëm zhvillohen edhe ndjenjat e dy karaktereve kryesore. Peter provon të ‘mësoj’ për jetën e rëndomtë aristokraten Ellie, e që në fakt del të mos di asgjë – ndalja e veturave është shembulli më i mirë. Ndërkohë ngjashëm zbutet edhe karakteri indiferent i Elliet. Është një aventurë me përplot ngjarje interesante, sfida që nuk të merakosin aq shumë si shikues, dhe një romancë që lind dhe zhvillohet në kushte të pavolitshme.

Aktrimi i të dyve është i mrekullueshëm. Kanë një harmoni për mësysh gjatë gjithë skenave, sidomos në dialogët e tyre që ndryshojnë shijen dhe formën disa herë gjatë filmit. Duhet lavdëruar skenarin për këtë, por kontributi i aktorëve të cilët kanë qenë jashtëzakonisht skeptik para fillimit të filmit, për suksesin që ka skenari.

E regjia është si e Capras. Ky film vendoset aty lart pranë klasikëve të tij të preferuar për mua, ‘It’s A Wonderful Life’ dhe ‘Mr. Smith Goes to Washington’. Është një treshen që kompleton njëra-tjetrën dhe na dëfton për gjenialitetin e Caprës. Vlen të theksohet se ‘it Happened One Night’ është filmi i parë që ka fituar Grand-Slam për Oskarë duke fituar filmin, regjinë, skenarin, aktorin, e aktoren më të mirë. Në fakt është edhe i pari që ka fituar në çdo kategori që ka qenë i nominuar.

Filmi përmban në vete disa skena të bukura. Kënga në autobus; bisedat përtej batanijeve apo siç i quan Peter – muret e Jerichos; dhe zhvillimi i skenave e i ngjarjeve në pjesën e fundit të filmit janë momente që e bëjnë këtë njërën nga veprat më të mira në histori të kinematografisë.

I mrekullueshëm. Nota personale: 5/5