Journal

Jetë okupatori!

Për shumëkënd do të duhej të ishte e fundit.

Ndeshja e fundit që do të zhvillonim në atë fushë jo të rrafshët, në perëndim të së cilës gjithnjë bëhej me lloç goli duke pamundësuar të mbanim orën e edukatës fizike. Ndeshja e fundit e futbollit brenda klasave të shkollës.

Ishte e premte, një ditë e vranët marsi. Një nga ato ditët e fundit të këtij muaji kur fillonin të shkundeshin plakat. Kishte nisur të reshte pak dëborë që ishte përzier me shi të imët. Nuk ishin klasat më të larta, as më të mira. ishin vetëm dy klasa që kishin zhvilluar një rivalitet sportiv.

Baras.

Shpresën për fitore në një revansh eventual e mbulonte vetëm një shpresë tjetër. Një shpresë për një lojë në një liri që na e kishin shitur me vite. Për ato pak vite që mezi kishin rrumbullakuar një dekadë jete të protagonistëve të asaj ndeshjeje. Një liri ëndrrash e cila ishte tejet e përsosur dhe më se e merituar për të gjithë, sa që as në ankthet më të djersitura nuk e llogarisnim si utopike.

Alarme. Fluturime. Bombardime. Pika urine. Idete kuçi. Terr natën.

Alarme. Brohoritje. Pritje. Këngë. Terr ditën e natën.

Shpresa sa kishte arritur majën. E dinim se do të duhej kohë që të jetësonim ato ëndrrat në periudhë okupimi. Do të ishin vetëm ca vite, dhe jeta ishte e jona për të shijuar. Për të jetuar të lirë. Për të zhvilluar ndeshjen e kthimit.

Ndeshja e kthimit u zhvillua. Gati nja dy vite më pas. Dhe aty ishte shenja e parë e lirisë. Lirisë së pritur moti. Përballja e parë me drejtësinë që nuk ishte. Një vjedhje totale nga gjyqtari pedagog, i cili në fjalët e tij shihte gjërat ndryshe nga protagonistët tjerë në fushë, dhe spektatorët jashtë.

‘Unë e pashë ndryshe’, arsyetimi i tij.

Dhe vërtetë është një pikëpamje individuale e secilit prej nesh. Ëndrra individuale të cilat ndryshojnë ‘lirinë’ nga okupatori. Ëndrra që për tu realizuar marrin vite, dhe çdo vit diçka të detyrojnë të heqësh nga ëndrrat pasi janë të pamundura.

Jo që nuk kontribuoni ju, jo që nuk jepni mish e shpirt për të arritur ato. Por, vetëm sepse dikush i sheh ndryshe ato!

I shohin nga sytë e një liri-prurësi, liberatori, engjëlli. Ndërkohë, gjithë çfarë mund të shihen në ta janë një zhvatës, okupator, djall, në të cilët janë shndërruar brenda natës. Veçse për dallim nga okupatorët paraprak i dallojnë dy gjëra.

Flasin gjuhën tuaj, dhe e dini atë shpresën që keni pasur më parë? Ju kanë pirë sikur mushkonjat netëve të verës, ashtu në fshehtësi dhe dalëngadalë, derisa tani jeni bëri imun dhe prisni të ju hanë edhe ato kockat e gurta që ju kanë mbetur. Pasi shpirtin është e fundit që mund tu marrin.

Ka shumë lloje vdekjesh. Të shpejta, të lehta, të dhimbshme. Por, ka edhe vdekje të ngadalta, që zgjasin me vite e dekada. Vdekje ku ditë pas dite ju shterin shpresën duke ju shndërruar në një robot që nuk ndjeni as mushkonjat më.

Alarme. Fluturime. Bombardime. Pika urine. Stoj. Pali. Terr i amshueshëm?

Së paku ata kanë vdekur me zemrën plot shpresë.