Filma

Jurassic World: Fallen Kingdom (2018) – Recensim

Nuk e di deri kur do të vazhdojnë, por ka vite që shija e risisë tek franshiza e ‘Jurassic’ ka humbur. Pikësëpari e kam të vështirë ta kuptojë tërë këtë obsesion me dinozaurët. Pse jo me mamutët! Sidoqoftë, kthimi prej më shumë se pesëfish i investimeve që garanton profit, na bën të ditur që kjo franshizë do të vazhdojë edhe pas vitit 2021.

E atëherë, shumica e ansamblit origjinal të aktorëve s’do të jetë më, me gjasë! Të merr malli të shohësh Jeff Goldblumin, gjersa të tjerët moti kohë janë zhdukur! Jo që ansambli i tanishëm i aktorëve nuk është i mirë. Bashkë me Chris Pratt në rolin kryesor kemi edhe Bryce Dallas Howard, në anën tjetër është Toby Jones, e Isabella Sermon është ajo që ndoshta do të udhëheqë gjeneratën e re të kësaj franshize.

Tregimi vazhdon tri vite pas mbylljes së parkut Jurassic World, me Ouen e Kller që kthehen në Isla Nublar për të shpëtuar dinozaurët me të mësuar që një vullkan i fjetur është aktivizuar dhe rrezikon të çrrënjosë dinozaurët. Gjatë këtij misioni, Ouen ndeshet me Blunë, ndërsa të dy bashkë me ekipin e tyre mësojnë për një konspiracion që mbretëron brenda pjesës tjetër të ekipit.

Skenari është i zakonshëm, tashmë e dini premisën e përmendur më lartë – nis ajo lufta mira me të keqen, dhe pastaj kemi atë pjesën neutrale e cila nuk di çfarë të bëj në lidhje me dinozaurët. Pjesa teknike është e mirë, më e mirë se skenari. Ka pak hapësirë boshe për improvizim, me një ansambël që duket të jenë të ngrirë për të bërë atë që u është komanduar. Dhe kjo vetëm sa lëndon tregimi i cili edhe ashtu është shumë klishe, e ditur, i cili megjithatë vazhdon të thithë para nga kinematë. Një film nën-mesatar. Nota personale: 2/5