Filma

Justice League (2017) – Recensim

Ajo që nuk po funksionon tek DC dhe Warner Bros deri tani është kombinimi i super-heronjve. Nëse marrim ‘Wonder Woman’ e ‘Man of Steel’, shohim se janë shumë më të vlerësuara se ‘Suicide Squad’ e edhe ‘Justice League’. Personalisht, që të dyja bëjnë punë për mua si një fans i DC. Por, nuk janë diçka e jashtëzakonshme, dhe duket sikur një film i nënvlerësuar krahas potencialit që ofron bota e stripave të këtyre super-heronjve.

‘Justice League’ nis me Bruce Wayne i cili është në mision të mbledh heronjtë tjerë pas vdekjes së Supermenit. Derisa me Betmenin edhe Wonder Woman jemi njoftuar në detajet në filmat paraprak, Aquaman, The Flash, e Cyborg vijnë në një mision prezantues para filmave të tyre individual që pritet të dalin viteve në vijim.

Dhe këtu qëndron problemi. Kemi një deduksion karakteresh, që mendoj se do të funksiononte shumë më mirë po të niseshim nga një karakter ndihmuar nga karakteret kryesore, ngjashëm siç ka ndodhur me shfaqjen e Wonder Woman tek Batman vs Super-Man, pastaj filmi i saj. Prezantimi grupor po dëmton karakteret pasi vet shikuesi po ka shumë për të absorbuar, dhe asnjë nuk po ofron mjaftueshëm. Gjithashtu po mungon një armik serioz, një luftë me tension. Po mungon ndërtimi i ngjarjes tek një finale më bombastike, për shembull siç ndodh tek filmat e Marvel.

Por, në vete, DC provon të jep më shumë jetë, më shumë realitet në karaktere, janë më përtokë dhe më pak ‘xixa-xixa’. Kjo për mua kryen punë, ndonëse nuk munda t’i shmangem një krahasimi klishe DC vs Marvel.

‘Justice League’ sjell një njoftim të mirë për Barry Allen, Arthur Curry, e Victor Stone. Ajo çfarë nuk më pëlqen fare është Jeremy Irons në karakterin e Alfred! Nuk po i ka hije, sidomos në krahasim me Alfred-at tjerë, përfshirë edhe atë tek ‘Gotham’. Jason Momoa disi më duket se është përshtatur më mirë se Ezra Miller, e Ben Affleck nuk po ka mjaft hapësirë ndoshta për të përqafuar lirshëm karakterin e Betmenit. S’ka faj kur e di kënd e ka Alfred.

Filmi nuk është i keq, nuk është humbje kohe. Është poshtë pritjeve të fansave të filmave me super-heronj, është poshtë pritjeve të fansave mesatar, por është i mirë për fansat ‘e pjekur’ të filmave me super-heronj. Nuk është diçka i veçantë. Nota personale: 4/5