Journal

Karakter për fletë

 

Harromë e dashur, harro që të kam dashur

Vazhdo të jetosh, ndoshta më s’do ekzistoj

Tingujt e violinës dhe era e venës së vjetër më ka mbetur

Në to zemrën e lënduar tashti pushoj

Harro që të kam dashur

Për ty më s’ekzistoj

 

Ishte mjegull, mjegulla akoma mbretëron

Plagët nuk mi lehtëson asnjë mikrofon

Thyej gotat, asnjëra nuk gjakon

Asgjë plagët që më rrjedhin nuk mi pasqyron

Vetëm këta rreshta, pak më ndihmojnë disi

Sytë në çdo të kënd të shohin ty,

Me zor pi verë, ujë, e raki

Vetëm e vetëm që të nxjerr lotët e të harroj ty

S’mund të qaj, edhe pse zemra moti më vajton

Sikur një shi i qetë e i sheshtë që vjeshtën të kujton

 

Ishte koha të ikja, dikujt në udhë i qëndroja

Kam menduar se ishte kapitull i mbyllur

Atë çfarë refuzove ta bëje ti, unë nënshkruaj

Fjalinë, kapitullin, e librin me ty kam përfunduar

Ndoshta më kujton ndonjë ditë, të bie në mend që ndokund ekzistoj

Por, për ty e di që gjithmonë kam qenë në hije,

Kam frikë që nuk kam ekzistuar kurrë

në kornizën tënde të asaj që quajmë jetë

Si një karakter në një libër të humbur,

Që jeton pa qëllim, pa mision, vetëm për të bërë fletë

I lodhur, i rraskapitur tani po ik, po shkoj

Harromë e dashur, harro që të kam dashur

Vazhdo të jetosh, për ty më s’do të ekzistoj