Filma

King Arthur: Legend of the Sword (2017) – Recensim

Për tregimin e mbretit Arthur është pak e mundshme të mos keni dëgjuar më parë. Ka pasur shumë filma e seriale të realizuara për legjendën e tij – si nxjerr një shpat nga një gur, shpatën magjike që është e dedikuar për të; se si ka një tavolinë rrumbullake ashtu që të gjithë miqtë e tij të ndjehen të barabartë me të, etj.

Guy Ritchie me një ekip skenaristësh provojnë të freskojnë tregimin për të, duke shtuar një dozë të tepruar fantazie. Dhe besoj që kjo është arsyeja kryesore pse filmi ka mbetur ndoshta një shkallë më poshtë nga pritjet që ka pasur. Por, vula e Guy Ritchiet vërehet në çdo kënd të filmit. Nga lëvizja dinamike e kamerës, tek efektet vizuale minimale. Këto të fundit ofrohet tek ne duke ndalur për një çast ngjarjen në statike, për të vazhduar me dinamikën e zakonshme menjëherë më pas. Këtë keni mundur ta vëreni sidomos tek rrahjet e Sherlockut, dhe ato në RocknRolla.

Doza e tepruar e fantazisë nuk më ka penguar. As zymtësia e zakonshme që Ritchie e sjell edhe tek ‘King Arthur: Legend of the Sword’. Komplikimi i panevojshëm i ngjarjes, që ndihmohet ndoshta edhe nga fantazia, kanë qenë diçka që për mendimin tim i kanë humbur pak jehonën e legjendës së Mbretit Arthur. Kjo ndoshta pasi perceptimi im fillestar për të ka qenë më shumë si një qenie njerëzore, e më pak si një perëndi mitologjike. Filmi e çon së tepërmi atë kah ky drejtim.

Charlie Hunnam vjen si Arthur, Jude Law si xhaxhai i tij, e Eric Bana si babai i Arthurit të cilin e kishin vrarë më parë në tentim për fronin. Bashkë me Djimon Hounsou, në rolet tjera vjen edhe truri i ‘Game of Thrones’ – Lord Bejlish. Është ndjenjë interesante ta shohim Aidan Gillen në role tjera tashti pas krejt atyre matrapazllëqeve që bën tek ‘GoT’. Ndjenjë e mirë.

Thashë që filmi e tepron paksa me fantazi. Por, si fans i Guy Ritchiet, më ka sjell ato që kam pritur. Nota personale: 3/5