Filma

Kong Skull Island (2017) – Recensim

Historitë për Kongun nëpër filma janë shtjelluar më shumë se që duhet ndoshta. Ideja për një rishtjellim të tillë më është dukur e kotë në fillim. Tek ‘Kong: Skull Island’ nuk është vetëm Kongu në ishullin e tij. Pos banorëve vendas, ka edhe një amerikan të mbijetuar me vite. Dhe kastingu s’do të mund të gjente dikë më të këndshëm se John C. Reilly për këtë rol.

Billi (John Goodman) ka studiuar për ishullin në fjalë shumë herë. Gjithnjë ka pasur dyshimet e tija dhe arrin të bind autoritetet të bëjnë një ekspeditë me qëllim sipërfaqësor. Aty, ata do të takojnë Kongun dhe të tjerët. Kjo do të pasoj me një luftë mbijetese që do të përfshij çmos!

Skenari nuk duket ndoshta shumë i veçantë, por së paku mua më kanë pëlqyer disa detaje, sado që mund të duken familjare. Nuk është shumë i gjatë, dhe nuk komplikohet shumë. Por, ndoshta do të mund t’ia shihte dobinë një tregimi më pak eksploziv. Ka shumë aksion, më tepër se që duhet për mendimin tim. Kamera kap disa lëvizje të bukura për sy. Por, ashtu siç e ka zakon Jordan Vogt-Roberts i cili bën regjinë e filmit të tij të dytë, fotografia është e shkëlqyeshëm. Është i njëjti regjisor i ‘The Kings of Summer’ për atë treshen e fëmijëve ‘të pavarur’ në pyll.

Aktrimi është i mirë. Samuel L. Jackson vjen në karakterin e tij të zakonshëm. Brie Larson është pak më ndryshe, e edhe Tom Hiddleston është pozitiv. Tian Jing po bëhet pjesë qendrore e filmave Hollywoodian tani. E përmenda Reillyn edhe Goodman, dy emra që më pëlqejnë shumë me punën e tyre. Nuk më dëshpërojnë. Në fakt aktrimi nuk më dëshpëron. As pjesët tjera.

Filmi mbetet një freski e një teme të njohur. Nuk është humbje kohe. Është një fotografi e ide e mirë kinematografike. Më ka pëlqyer. Nota personale: 3/5