Kolumna televizive për Zëri

Kopje e shëmtuar dhe adaptim joserioz!

Të shtunën e kaluar në RTK nisi një format i ri televiziv “Kemi punë për ju”. I shumë promovuar nga RTK vazhdimisht tashmë disa javë, emisioni kishte arritur një para-zhurmë adekuate duke ngritur edhe pritjet nga ky program në një nivel të lartë. Është e vërtetë që promovimi i programeve në kanalet tona është në minimum, gjë që shkakton edhe vetëm pak njohuri për programet tona që për rrjedhojë nuk sjellin edhe shumë shikues.

Nga “Kemi punë për ju” prisja diçka inovative, të freskët, dhe joshëse në ekranet tona. Por, ndodhi krejt e kundërta. Pos që nuk kishte fare inovacion, formati i programit pos që dukej i kopjuar qartazi, nuk ishte realizuar në mënyrë të duhur duke e bërë më kompleks kuptimin dhe zhvillimin e emisionit e që në fakt ishte tepër i thjeshtë. Nuk di a ju kujtohet, por para disa viteve, të dielave kemi pasur mundësinë të shohim emisionin The Apprentice në RTV21 (ishin ato kohë kur RTV21 ofronte program cilësor)! Ju që e keni parë The Apprentice, dhe akoma e shikoni pasi ekziston versioni i personazheve VIP në SHBA, dhe versioni normal në Mbretëri të Bashkuar dhe disa vende tjera., mund tu referoheni këtyre versioneve për të gjetur ngjashmëritë e The Apprentice me “Kemi punë për ju”. Themeli, baza e emisionit është e njëjtë, por për të shmangur ngjashmëritë dhe ndonjë padi eventuale, që nuk besoj se do të ndodhte, në “Kemi punë për ju” kanë bërë gjërat më të koklavitura si numri i anëtarëve të jurisë, detyrat e paqarta, etj.

Shihet qartë se nga ka lindur ideja për “Kemi punë për ju” dhe sa i dobët ka qenë vizioni i producentit ekzekutiv. Kemi një juri prej 3 vetave plus 2 mentorëve të grupit, ku nuk dihet kush është shefi që po merr punëtorin dhe çfarë punë bëjnë tjerët. Garuesit mesa pashë ishin të gjithë në punë dhe tani luftojnë për një pozitë më të mirë, që bie ndesh me promon e emisionit ku thuhej se do të punësonin veta. Prisja më shumë student dhe të papunë të ishin pjesë e garës! E vet studioja ku realizohet pjesa kryesore e emisionit duket të jetë e përgatitur në një nivel nën amatorizmin. Sikur të kishin kërkuar licencë për të adaptuar versionin edhe nëse do të mund të paguanin, s’do të mund të kalonin aspektin teknik nëse do të kërkohej. Do të ishte turp për The Apprentice origjinal.

E në anën tjetër me pak punë dhe me pak inovacion, ide, kanë mundur të realizonin një format të shkëlqyeshëm, që s’do të pasqyronte The Apprentice në një pasqyrë të pluhurosur. Kur të bëni ndonjë format bëjeni siç duhet, edhe nëse vendosni ta kopjoni.

Nuk është vetëm “Kemi punë për ju” që kopjohet. Më herët kemi pasur “Shpija e Kosovës” që gjithashtu ishte kopje e shëmtuar e Big Brother.

Në fakt është Big Brother Albania që mund të krahasohet me versionet simotra të shteteve tjera. Edhe pse nuk jam fans i këtyre formateve, duhet të pranoj që punën që po e bëjnë stafi i Top Channel në përgatitjen e këtij formati është e shkëlqyeshme.

Top Channel dhe Klan TV së fundmi kanë adaptuar versionet e The Voice dhe X Factor. Derisa po arrijnë të adaptojnë për mrekulli pjesën teknike, sidomos tek The Voice, po dështojnë në resurset njerëzore. The Voice ka mundur të kishte prezantues më të denjë, derisa tek X Factor do të mund të ndryshonim 90% të jurisë së bashku me Alketa Vejsiun.

Ndoshta këto versione që na sjellin mund të joshin publikun e gjerë, por nëse keni parë versionet e huaja atëherë do të vëreni sa inferiore janë disa nga adaptimet e formateve të huaja, X Factor dhe Albanian’s Got Talent. Ngjashëm mund të mashtrojnë një pjesë të publikut se kinse keni krijuar ide dhe formate të reja, por disa nga ne do ta vërejnë se sa kopje të shëmtuara janë ato.

Botuar me 22 prill 2012 në gazetën Zëri