Opinione

Krejt kosovarët janë shovinista…

A e dini sa zor osht me gjet ni kosovar qe nuk urren ni popull, ni racë, apo ni fe? Unë nime jom njeri asocial dhe pak agorafob, mirëpo jashtë familjes teme t’gjerë, njoh bajagi njerëz. Edhe n’mesin e ktyre t’fundit osht zor me gjet ni kosovar që nuk urren dikon. Ata pak që jon, i kom n’close friends list n’fejsbuk.

Pjesa dërrmuese kanë një popull, një racë, një fe, një gjini, për të urryer. Në bazë të asaj që mundemi me has nëpër ambiente ndryshme, sidomos virtuale, popullin tonë mund ta ndajmë në disa grupe shovinistësh.

Urrejtësit e serbëve –

Këta janë pjesa pseudo-patriotike e cila është ushqyer në masë të madhe nga mediat për urrejtje ndaj tërë popullit serb. Derisa historia na mëson që konfliktet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve kanë një zanafillë mesjetare, urrejtja ndaj një populli të tërë është absurde. Gjithashtu një pjesë e konsiderueshme ka qenë pre e dhunës dhe terrorit të pjesëtarëve aktiv serb në dhunë, dhe urrejtja e tyre ndaj tyre është e kuptueshme. Por, kjo pjesë është më e butë në urrejtjen e tyre, përkundër të gjitha arsyeve për urrejtje, disa edhe gjejnë hapësirë për të dalluar individin nga tërësia.

Ka njerëz që kanë humbur më të afërmit në luftë, kanë pësuar dëme materiale, por urrejtja e tyre kufizohet tek Millosheviqi dhe pasuesit aktiv të ideologjisë së tij.

Pjesa më e madhe e këtij lloj shovinizmi është pseudo-patriotët të cilët mendojnë se bëhen më trima, më shqiptar me urrejtjen e çdo serbi. Këta janë ata që shesin iluzione për një racë të pastër shqiptare që duhet të zotëroj një kufi imagjinar që përfshin të gjitha trojet në lindje të Adriatikut.

Urrejtësit e malazezëve, grekëve, maqedonasve –

Këta janë ‘patriotët’ më të mëdhenj. Janë grupi më i rrezikshëm i shovinistëve kosovar. Janë njerëz të mbushur me urrejtje, kryesisht provojnë të merren me histori dhe në mendjen e tyre ekziston një paranojë se të gjithë ua kanë inat shqiptarëve, dhe ‘armiku’ gjithnjë ka tentuar të copëtoj trojet tona etnike, sepse Shqipëria Etnike është vendi më i bukur në botë.

Ky grup edhe mendon që Amerika është mike e shqiptarëve sepse George Washington e ka pasur nënën shqiptare dhe ua ka lënë amanet top-sekret të gjithë amerikanëve për të mbrojtur racën tonë deri sa të ekzistoj planeti! – ju thashë që janë më të rrezikshmit

Urrejtësit e turqve –

Urrejtja ndaj turqve është e dyfishtë. E para urrehen pse janë turq dhe na kanë ‘okupuar’ vetëm neve për pesëqind vite, dhe e dyta urrehen pse janë myslimanë sepse na kanë lënë fenë me zor, ashtu siç ia kanë lënë grekëve, bullgarëve, armenëve, rumunëve, serbëve, maqedonasve!

Grupi i parë i shovinistëve anti-turk është ata që provojnë të vendosin ndjenjën kombëtare para asaj fetare. Këta urrejnë vetëm pse na kanë okupuar, dhe u besojnë librave turq që shqiptarët kanë qenë më rezistuesit dhe e kanë ndalur hovin e osmanlinjve sidomos në epokën e Skënderbeut. Nëse shohim kufijtë e perandorisë osmane në atë kohë, shohim një shtrirje goxha të madhe dhe një efekt jo aq të madh në ndaljen e pushtimit së Evropës. Edhe këta ushqehen nga filma artistik të cilët sjellin të ‘vërtetën’ e dialogëve në katër sy, duke sjell një version krejt tjetër për interesa kombëtare nga ai i pronarëve të atyre katër syve.

Grupi i dytë urren turqit për shkak të fesë. Këta ende kanë paranojën që prania a turqve në Kosovë është një shtytje për myslimanët. Shitja e pronave publike tek turqit shihet si një afrim kah lindja e jo kah perëndimi. Këta harrojnë të fajësojnë vetveten për votat e tyre për liderët që nuk kanë arritur të krijojnë një ambient të përshtatshëm për investitorët perëndimor.

Vodafone britanike (e treta në botë për telekomunikacion) është prezent në Turqi, Egjipt, Katar; Shqipëri, Telefonica spanjolle (e shtata në botë për telekomunikacion) është prezent në Marok, Sudan; Orange e Francës është e pranishme në Egjipt, Jordani dhe pjesën më të madhe të Afrikës nën-Sahariane. Të gjitha këto vende me shumicë dërrmuese myslimane.

Mund të konkludojmë, pa hyrë tek industritë tjera, që kompanitë perëndimore nuk janë duke mos ardhur pse jemi myslimanë, por sepse nuk kemi kulturë demokracie, ndoshta.

Urrejtja ndaj izraelitëve –

Ky lloj shovinizmi bazohet në teori konspirative kryesisht, dhe kohë pas kohe nxitet nga konflikti izraelito-palestinez. Shovinistët anti-izraelitë kryesisht konsiderohen shumica myslimane (jo të gjithë, kuptohet), të cilët shovinistët anti-turk i konsiderojnë si shtresë më e ultë shoqërore, më primitive. Këta të fundit, pos shovinizmit shfaqin edhe shenja fashizmi, derisa nuk mund të mohojmë aspak snobizmin e tyre.

Urrejtja ndaj izraelitëve, si popull në përgjithësi është e padrejtë, pa marrë parasysh konfliktin e tyre. Kjo ndihmohet më shumë nga teoritë konspirative për popullsinë që i përket fesë hebreje. Dhe si popull badihavgji, teori të tilla tek ne pinë ujë më shumë se lopët pas një dite të gjatë vere në fushë.

Ky lloj shovinizmi ndihmohet shumë edhe nga të vetquajturit dijetarë fetar të cilët u shesin mend një shtresë të caktuar, e cila përkundër ngritjes së lartë familjare e arsimore, bie pre e trushpëlarjes që kryekëput bazohet në shovinizëm.

Urrejtja ndaj arabëve –

Urrejtja ndaj arabëve është më e madhja. Kjo zakonisht është e pranishme tek personat që dëshirojnë të ndajnë kombin nga feja. Kjo lloj urrejtje është nxitur kryekëput nga shfaqja e radikalizmit islam që dëshiron të sjell një kulturë që nuk përshtatet me vendin tonë, nga një vend tjetër. Pra, është në lloj urrejtje e kushtëzuar, e nxitur nga individë që bëjnë pjesë në grupin paraprak.

Por, kjo urrejtje nuk arrin të ndaj radikalët dhe të moderuarit. Si çdo urrejtje, as kjo nuk njeh arsye. Për mendimet e disa individëve, urrehen e tërë feja, i tërë populli. Kjo urrejtje nxitet edhe nga analistë të ndryshëm politik, të cilët shfrytëzojnë një pjesë të kufizuar për të shfaqur apetitet dhe shovinizmin e tyre ndaj krejt popullit, fesë.

Urrejtja ndaj shiave –

Kjo është urrejtja më e marrë. Ky grup shovinistësh janë plotësisht të paarsyeshëm. Urrejnë një sekt të fesë së tyre, për arsye të paarsyeshme! Urrejnë një popull që nuk u ka bërë asgjë drejtpërdrejt, një popull që nuk e kanë takuar kurrë, një popull që beson 90% të gjërave që edhe ata besojnë.

Për fund…

Osht ni pjesë e kosovarëve që nuk urrejnë kërkond. Jon njerëz t’mirë, që e din se urrejtja nuk ju vyn.

Tekefundit urrejtjes, shovinizmit nuk ia ka pa hajrin kërkush. As na nuk kemi me ja pa hajrin. Sa urrejmë diko pa pikë arsye, veç pse na kanë kallzu që jon kshtu e ashtu, edhe tan ditën pijmë makiato e bohemi pjesë e kopesë që trushpërlahet sabah e akshom prej mediave, ma mirë osht me ia nis me punu diçka të hajrit, me bo nojsend t’mirë.

Buzqeshni, knoni, thuni fjalë t’mira, bonu msit, pajtoni njerëz, doni… jeta osht e shkurt, e për ata që urrejnë, për t’kqit nuk osht as kjo botë e as tjetra…