TV Reviews

La Casa de Papel – Sezoni 1 (me spoilera)

Çka nuk keni bërë për pare?

Për letra që shtypen me një ‘rregull’ kurdo që shihet nevoja për to, dhe u jepet një vlerë duke u bazuar në ‘ekspertizën’ e individëve të zgjedhur! S’dëshiroj të filozofoj shumë në lidhje me këtë temë, sepse nuk është edhe aq e thjeshtë, aq e lehtë sa spikatet nëpër tërë serinë.

Gjersa iu kërkojnë, kurrë nuk iu shpjegojnë historinë, apo edhe vet filozofinë e funksionimit të parasë. Dallimi kërkesë-ofertë është i kapshëm edhe për fëmijët e klasës së tretë. Më shumë se sa aligatorët! Nëse në klasë janë 12 nxënës dhe janë dy akullore për më të mirët, të gjithë do të vrapojnë të bëjnë detyrat. Nëse janë 15 akullore, s’do të lodhen aq shumë. Mjaft filozofi.

Ngjashëm edhe puna e ‘La Casa de Papel’. Aq shumë është përmendur dhe vlerësuar sa edhe i ka humbur edhe vlera. Sot, ky recensim që vjen muaj pas debutimit të serisë, nuk ka vlerë, sikur dinari në zanafillën e Jugosllavisë së Tretë! Për atë, edhe më shumë provon të kapet me filozofi se sa me vet serinë.

Seria padyshim që është inovative, drithëruese, mirë e shtjelluar. Kapërcimet nëpër kohë – përgatitjet për vjedhjen e kthimi tek vjedhja aktuale janë të përkryera. Por, për mua, seria e tepron me romancën dhe atë ngjyrosjen ‘telenovele’ që nuk i ikën. Nuk është për t’u çuditur, por në fillim premtohet diçka më ndryshe.

Ka karaktere të padurueshme, Arturito, i cili menjëherë e bën të dashur Helsinkin! Allison e cila nuk arrin të bëjë askënd të dashur për shikuesin. Pastaj tek grupi, gjysma e tyre lëshohen, duke lënë vetëm Nairobin stoike. Aq shumë përplaset tema e karaktereve sa nuk të lë në lidhje të mira me asnjërin prej karaktereve. Dhe mendoj që kjo megjithatë është ide e mirë e skenaristëve. Në fund shikuesi mbetet më shumë i lidhur me idenë, me filmi, me mençurinë e Profesorit, se sa me idenë e vjedhjes. Ose jo! Jemi popull i çuditshëm, me dashuri të paarsyeshme ndaj anti-heronjve, e cila shkon në aso shkalle sa edhe vajtojnë për kriminelë të vdekur në jetën reale (Pablo!). Mjafton të shohim rezultatet e zgjedhjeve, dhe kuptojmë pse ndodh kjo! Mjafton të shohim se si ofendojnë socializmin e komunizmin, gjersa nga loçka e zemrës këndojnë ‘Ciao Bella’!

Por, larg sfidës ekzistencialiste të cilën s’mund ta ndez në mesin e shumicës së shikuesve tanë, ‘La Casa de Papel’ ofron një argëtim momental, i cili padyshim do të venitet me sezonin e tretë. Sezon ky që thuhet se do të përqendrohet në të kaluarën e karaktereve, dhe jetën pas vjedhjes të ekipit. Por, më së shumti do të përqendrohet në xhepat tanë, të cilët zbrazën sikur të amerikanëve për një ofertë deri njëzet-fish më të dobët! Nota personale: 4/5