Filma

Le Mepris (1963) – Recensim

A besojmë në dashuri në shikim të parë? Apo pas çdo fytyre, pas gërmimit nëpër atë qenie që mund të portretizohet si engjëll, gjejmë të çara, plasaritje, e shëmtira që humbin atë perceptimin fillestar që na jep ajo fytyrë?

Pas një hyrje të pazakontë, kemi një grua të zhveshur të shtrirë në bark në krevat, dhe të dashurin e saj që i sheh fytyrën e cila për shikuesin mbetet vetëm në një gjysmë profil në fillim. Një bisedë e rëndomtë pason me pyetjet e radhitura për secilin detaj të trupit të saj. Pyetjet e saj se a i pëlqejnë, sa i pëlqejnë edhe shputat, edhe gjunjët, edhe hunda, edhe krejt ato pjesë të saja që mendon se kanë pak të meta. Të gjitha i pëlqejnë. E përfundon se e do në tërësi, me butësi, për tragjedi!

Çka është dashuria tragjike?

Dashuri me fund tragjik? Patjetër të jetë kështu? Shumë filozofike?

Paul Javal është skenarist teatri. Pasi i ofrohet mundësia për të bërë një skenar filmi rreth ‘Uliksit’, për të përmbushur dëshirën e të dashurës së tij shumë më të re në moshë, dhe për të paguar apartamentin e tyre, ai vendos të ndërroj profesionin, qoftë edhe përkohësisht. Për realizimin e këtij filmi ai porositet nga një producent amerikan, Xheremi Prokosh, i cili qysh në fillim i vë syrin të dashurës së Javalit. E dashura e tij është Kamila.

Edhe pse vëren këtë, Paul përdor Kamilën për të marr një pagesë më të mirë, për të plotësuar kriteret e tij. Në një mënyrë e shtynë andej, në një mënyrë të çuditshme që na lë në huti nëse vërtetë është i lodhur me të dhe kërkon lirinë, kërkon paranë, apo veç dëshiron një fillim të ri.

Derisa rrëfimi mund të jetë i komplikuar në rast se kërkojmë ta bëjmë ashtu, regjia është mjeshtri e veçantë e Jean-Luc Godard. Është ndryshe. Lëvizja e karaktereve në skenë, ngulitja e kamerës në një kënd të vdekur derisa zërat vijnë nga jashtë thjerrëzës së kamerës, proceset e çuditshme dhe aspak rutinore që bëjnë karakteret, e bëjnë këtë film ndryshe nga të zakonshmit.

Është ndoshta një orë e mirë mësimi për ata që studiojnë filmin, por edhe një eksperiencë goxha e bukur për neve që vetëm e shijojmë filmin si shikues të rëndomtë.

Edhe aktrimi është bukur i rrumbullakosur nisur nga Brigitte Bardot e Michel Piccoli si çifti në fjalë, për të vazhduar me Fritz Lang i cili vjen në rolin e tij, e Jack Palance e Giorgia Moll. Është kast i zoti, udhëhequr nga një regjisor i shkëlqyeshëm. Nota personale: 5/5