TV Reviews

Legion – Sezoni 2 (pa spoilera)

Në librin e gjashtë të Republikës, Platoni sjell një dialog të Sokratit kundër të mirës së dytë që kanë lënë grekët e lashtë – demokracisë! Nga çarja e vesë në episodet fillestare arrijmë në një përmbyllje të pjesës filozofike të secilit episod të sezonit të dytë, me përfundimin që e drejta në kontekstin e demokracisë përcaktohet nga mendimi i shumicës, dhe jo nga logjika dhe racionaliteti i veprës në fjalë.

Çfarë sot është ilegale dhe e padrejtë, nesër do të jetë krejt normale dhe e drejtë. Vetëm nevojitet që numri i atyre që përkrahin atë ide të jetë më i madh se i atyre që kundërshtojnë.

Filozofia e vesë, ta quaj kështu, bën një ndërlidhje ndërmjet të ardhmes dhe të tashmes me lidhësen kryesore Sydney. Ajo tenton të parandalojë të ardhmen që shohim në perspektivën e saj, një e ardhme që është goxha e zymtë. Dhe kjo si pasojë e vrasjes së Faroukut nga ana e Davidit në të tashmen e këtij të fundit.

Gjatë këtij sezoni na vjen një David më shumë në rolin e antagonistit se sa një njeri që provon të shpërthej veten nga kurthi psikik në të cilin ishte ngujuar në sezonin e parë. Derisa tregimi bazohet kryesisht në lidhjen e Sydney me David, në këtë sezon kemi shumë më tepër Faroukun në ekran se sa karakteret tjera. Lenny shfaqet në nja dy episode në rol goxha kryesor që kulmon me aktrimin e mahnitshëm të Aubrey Plazas.

Aktrimi vjen në shkallë të lavdëruar nga secili karakter, por megjithatë mbetet në sfond të shkrimit të Noah Hawleyt. E vërtetë që shkrimi i tij, skenari, shpesh na humbën në kërkim të zbulimit të tregimit të përgjithshëm, temës, se çfarë po ndodh, por kjo është arsyeja pse nuk arrijmë të ‘kuptojmë’ serinë. Është një rrugëtim që duhet të kapet, të absorbohet në momente, dhe jo gjithnjë duke kërkuar ‘qëllimin e madh’.

Nëse hedhim një paralele me sezonin e parë, mund të shohim qartazi zhvillimin e ngjarjes, konvertimin e karaktereve në periudha të ndryshme – nga e kaluara në të ardhmen, për të përfunduar pa asnjë ide të gatshme në lidhje me ngjarjet dhe karaktere. Pos nëse kemi krijuar idetë tona për secilën ngjarje dhe karakter, të cilat jo medoemos duhet të jenë të drejta.

Pra, Legion më shumë ngjan në një serial ngacmues për trurin tonë, kuptimin e të cilit në vend se ta marrim shabllon, duhet ta gjejmë, ta krijojmë vetvetiu. Sepse çfarë është mendimi i shumicës pos një pajtim shpesh i palogjikshëm dhe joracional! Nota personale: 5/5