Journal

Letër për një parajsë më ndryshe

Thonë që toka është e rrumbullakët.

Thonë.

Nuk mund të them sigurisht, 100% që është. As që nesër do të bëhet ditë. Por, lindi apo nuk lindi dielli, e di që aty pranë do më kesh. Të shtrëngoj fortë nga përqafimi, të shërbej si mburojë nga ajo që sjell nata që vije pas ditës, dhe ajo ditë që nis përsëri. S’do të jesh vetëm.

Nuk mund as të them se cili bend muzikor është më i miri. Cili aktor, apo cila shkrimtare. Cili futbollist. Cila këngëtare. Nuk mund të definoj gjithçka për ty. Nuk mund të them cili është më i miri, më i përkryeri. Mund të tregoj se cili më shkon për veshi e për syri. Ti, vet, do të gjesh më të mirin. Dhe kushdo qoftë, çfarëdo qoftë, s’do të ndryshoj gjë. S’do të ndryshoj të vetmen gjë që është 100% e sigurt.

E këtë siguri mund ta kesh vetëm në një gjë në këtë jetë. Dhe në tjetrën, e tjetrën e tjetrën. Ty, evlati im, kurrë s’do të mungoj as një grimë dashuri.

Do të ketë kohëra kur do të dyshosh në këto fjalë. Do të ketë kohëra kur do të më urresh nga pjesa më e thellë e zemrës. Do të dënesesh nga vaji. Do të përplasësh derën. Edhe do të thuash dy-tri fjalë të rënda. S’do ti harrosh kurrë këto momente.

Por, besomë që këto momente të bëjnë ajo që do të bëhesh në të ardhmen. Të kalitin për të qenë një prind më i mirë. Një mësues. Një pemë që do të zgjeroj rrënjët fuqishëm në tokë e do të zgjat degët në pafundësi duke ofruar frutat më të mira që do të kënaqin njerëzimin.

Do ti kisha shpjeguar të gjitha, fije për fije qysh atëherë kur dënesje. Kur nevrikoseshe e bërtisje. Por, koha. Koha është bushtër evlati im. Koha është e pabesë. Mos merr asgjë të garantuar. Jeto jetën sikur të vdesësh sonte në mbrëmje. Puno sikur s’do të vdesësh kurrë. Është një thënie që ke dëgjuar shumë herë. Ti do të vdesësh dikur. Por, vepra jote do të jetoj përgjithmonë. Bëhu nga ata që ajo të jetë në anën e mirë të peshores.

Peshorja!

Kurrë mos lëviz peshoren. Gjithë merr atë që të takon. Herët a vonë, e huaja do të ikën nga ty. Thonë, nëse është e jotja, nga fundi i oqeanit do të gjej rrugën tek ti. Nëse nuk është për ty, do të ikën edhe po ta kesh kapur me dhëmbë për ta përpirë. Mos lëviz peshoren. Mos i bëj dëm e keq askujt.

Ah sa do të doja të tregoja për tënden ëmë! Për buzëqeshjen e saj të hareshme. Sytë e saj vezullues. Dashurinë ndaj meje, ndaj ty. Për më të vlefshmen tënde. Për atë që ma shumë se kushdo të ka dashur, të ka rritë.

Do të doja të takoja.

Ndonjëherë.

Ti them gjithë këto, dhe shumëçka tjetër. Miliona gjëra. Të tregoj për yjet që vizatojnë gjësendet më të bukura gjersa ndritin në qiellin e errët, në ato net vere. Të tregoj për magjitë e një djaloshi me shenjën e rrufesë në ballë. Të tregoj për gjërat e magjishme në libra, dhe ato në jetën e vërtetë. Të nuhasësh aromën e barit të porsa kositur. Të shohësh pikat e shiut si të rrjedhin nga qoshet e vetullave derisa vrapon plotë lumturi në ato ditë pranvere. Të…

Por, ti mbetesh vetëm një ëndërr.

Një imagjinatë.

E shuar.

E panisur.

Nuk e di.

Nuk di.

Megjithatë, e di që aty ku je, qoftë errësirë, qoftë dritë, je më mirë.

E di që Zoti e di që nuk e kam vendin në Parajsën e foshnjave të pa-lindura, aty tek ti.