Filma

The Light Between Oceans (2016) – Recensim

Kam pritur shumë nga ky film! Bile në fillim të vitit të kaluar ishte konsideruar si favorit eventual për nominim për Oskar. Por, me të parë filmin kam kuptuar që Akademia ka bërë gjënë e duhur (së paku një herë)!

Filmi i bazuar në novelën e ML Stedman, sjell tregimin e një çifti i cili pas disa tentimeve për të parë fëmijën e tyre, vendosin të adoptojnë foshnjën që zhytet në brigjet e vendbanimit të tyre me një varkë në të cilin i ati i saj tashmë ishte i vdekur. Duke e konsideruar këtë ndodhi si shenjë nga Zoti, çifti i shtyrë më shumë nga gruaja vendosin të heshtin ngjarjen duke varrosur të atin e duke mbajtur foshnjën. Pas një kohe, zbulohet tregimi i vërtetë i foshnjës, duke trazuar rehatinë që kishin gjetur në shtëpinë e tyre pran fanarit të detit.

Michael Fassbender vjen në rolin e Tomit i cili kishte gjetur punë si mbikëqyrës i këtij fanari, e pa kaluar shumë kohë martohet me karakterin e Alicia Vikander, Isabel. Të dy bëjnë një punë të mirë në aktrim, kapin karakteret e tyre, por vërehen hapësirat në skenar të cilat dëshpërojnë përgjatë tërë filmit. Më është dukur sikur nuk ka ndonjë lidhje të mirë në trajtimin e ngjarjeve, nuk ka qëllim, nuk ka përfundim të qartë ndaj të cilit lëvizet.

Filmi ofron këto në një mënyrë jo të kënaqshme për shijen time. Derek Cianfrance ka bërë filma të bukur si ‘Blue Valentine’ e ‘The Place Beyond Pines’. Karakteristikat e të dyve mund ti shohim tek ky film të cilit gjithashtu nuk i mungon as fotografia e bukur.

Sidoqoftë, filmi, ndoshta për faktin që kam pritur shumë, ka qenë një dëshpërim për mua. Por, nuk është aspak humbje kohe. Sjell një ngjarje emocionale, të cilës një shije shtesë i jep edhe paraqitja e Rachel Weisz e cila inkuadrohet në pjesën e dytë të tregimit. Në përgjithësi, është film relativisht i mirë. Nota personale: 3/5