Filma

Lion (2016) – Recensim

Përkundër sukseseve të fundit (The Newsroom në veçanti), të gjitha rrugët e dërgojnë Dev Patelin në lagjet e varfra të Indisë. E tillë kishte qenë edhe vendlindja e Saroos. Bazuar në tregim të vërtetë ‘Lion’ sjell një tregim që na mundëson të hedhim shumë trajektore me jetën në vendin tonë. Kryesorja është mbledhja e hekurishteve që pas fuqisë punëtore e cila shndërrohet në asistencë sociale me të kaluar kufirin verior slloven apo kroat, është gjëja e dytë më e eksportuar nga ky vend. Dallimi i vetëm është që kërkuesit për adoptime janë inekzistent këtej.

Derisa del në ndërrimin e natës së të vëllait, Saroo humbet në stacion treni, për të përfunduar në nëntokë të fëmijëve lypsar dhe zotërinjve të tyre (ja edhe një trajektore Kosovë-Indi). Gjatë rrugës deri në jetimore, larg shtëpisë së tij, pa ndonjë edukim themelor për shkak të moshës, ai kapërcen nëpër sfida të shumta në të cilat mëson të ndaj miqtë nga armiqtë. Dikur, e gjen veten në listë për tu shpërngulur në Australi.

Në vendin e kangurëve na shfaqet Dev Patel. I rritur, me një jetë të rehatshme, Saroo nis të kujtoj fëmijërinë e tij, ngjarje nga e kaluara dhe pikëllimi që po jeton më mirë se sa nëna e vëllai shtyjnë drejt kërkimit për familjen e tij në Indi, një mision thjeshtë i pamundshëm. Dy karaktere kryesore në këtë mision janë e dashura e tij e jetësuar nga Rooney Mara, dhe nëna e tij e adoptuar e jetësuar nga Nicole Kidman. Me aftësitë artistike e të dyjave tashmë jemi njoftuar ndër vite. Ngjashëm edhe me ato të Dev Patel. Prandaj, përzgjedhja e një kasti të këtillë vetëm sa ka ndihmuar shtjellimin e bukur të tregimit. Por, diku tjetër qëndron ndoshta faktori kryesor për suksesin e këtij filmi. Bukuria e këtij filmi dhe faktori që e bën emocional është tek Sunny Pawar. Fëmija që tregon periudhën e hershme të Saroos është i mrekullueshëm në aktrim. Është pjesë e këndshme që shërben për tu lidhur me tregimin, dhe pastaj merr një lëvizje të lirë në pjesën e fundit.

Për fillestar në regji dhe skenar me Garth Davis e Luke Davies, puna pas kamerave është shumë e mirë. Ngjyra dhe kolona zanore nuk mbesin mbrapa, por asgjë nuk e kalon tregimin. Nota personale: 4/5