Filma

Live by Night (2016) – Recensim

Duket ndoshta pak e pazakontë që i biri i një detektivi të del të jetë kriminel, udhëheqës i nëntokës. Haram evlat del të jetë karakteri i Ben Affleckut, Xho Koflin. Ai kapet në grackë të një ujdie ilegale dhe burgoset. Falë intervenimeve lirohet dhe merr rrugën nga Bostoni për në shtetin e Floridës. Edhe pse premton që të mbetet jashtë nëntokës, ai vazhdon zanatin e vjetër aty.

Ish-e dashura e tij e, Ema (Sienna Miller) ka vdekur, ngjashëm si i ati, Tomas Koflin (Brendan Gleeson). Derisa e para ka pak më shumë kohë, mua më ka pëlqyer aktrimi i Gleeson i cili deri më tani nuk më ka zhgënjyer asnjëherë. Nëse dëshironi të shihni zotësinë e tij në aktrim, shihni ‘Cavalry’ edhe kuptohet ‘In Bruges’.

Në Floridë, Xho nis të bëj biznes me Grasielën (Zoe Saldana) me të cilën edhe martohet. Derisa shefi i policisë, Figisi (Chris Cooper me një aktrim goxha të mirë) nuk i pengon, e bija e tij Loreta (Elle Fanning) të cilën Xho provon ta shfrytëzoj si karrem për të fituar në biznes, i del në rrugë me qëndrimet e saja fetare. Pos me Loretën, feja i del në rrugë edhe me anë të KKK. Shto kësaj edhe rivalët tjerë të nëntokës, gjërat përzihen me të madhe. Skenari është marr nga novela e Dennis Lehane, derisa është adaptuar nga vet Ben Affleck.

Derisa Affleck nuk është i dobët në skenar zakonisht, ajo çfarë lë mbresa tek ky film është regjia, sidomos fotografia. Janë disa skena me fotografi magjepsëse që të kënaq syrin e shpirtin. Por, fatkeqësisht kjo mbetet ndoshta pjesa më e mirë e filmit.

Tregimi ka shumë kthesa, disa të mira, disa jo edhe aq. Është një dramë periodike që nis menjëherë pas depresionit të madh dhe ndalimit të alkoolit në SHBA. Këto lloje të dramave zakonisht më pëlqejnë. Edhe kjo nuk qe humbje kohe, por nuk qe as edhe ndonjë kënaqësi e veçantë. Nota personale: 3/5