Filma

The Lobster (2016) – Recensim

Yorgos Lanthimos e Efthymis Filippou janë të njohur për sjelljen e ambienteve utopike në jetë. Një ambient i tillë utopik është edhe Qyteti. Pos që është utopik, Qyteti është edhe vend i përkryer për prindërit, dajën, tezën, hallën, axhën, komshiun, shitësin në dyqanin përballë, profesorët, e çdo të martuar tjetër që ka çdonjëri nga ne që ka mbushur 20 vjet. Kjo sepse në Qytet jetojnë vetëm njerëzit e martuar!

Për beqarët është pylli dhe bota e egër. Aty ata janë pre gjahu për të martuarit si dhe një shtresë tjetër e shoqërisë. Kjo shtresë është e hospitalizuar për të gjetur dashurinë e jetës për 45 ditë (diçka që nuk kanë arritur ta bëjnë për 45 vite ndoshta). Nëse nuk e bëjnë këtë, ata shndërrohen në kafshë dhe dërgohen në Pyll ku mund të mbyten nga ata që bëjnë gjah. Pra, shkurt e shqip, ose martohesh ose të bëjmë në kafshë – diçka që do të ju thonë të gjithë ata që përmenda më lartë!

Dejvidi, karakteri kryesor në këtë film ka zgjedhur të jetë një karavidhe për disa arsye shumë të mençura, por do t’ua lë ti mësoni vet nëse vendosni të shihni filmin. Ai është hospitalizuar dhe aty gjen miq e ‘të sëmurë’ tjerë të cilët bëjnë çmos për të mos u shndërruar në kafshë. Është një tregim me ide të mirë, tejet origjinale, por me një fund bajat. Po, pa lidhje më është dukur.

Aktrimi i Colin Farrell e Rachel Weisz është i shkëlqyeshëm. Të dy më pëlqejnë me punën që kanë bërë më parë, dhe këtu nuk dalin nga vetvetja e tyre për së keqi. Aktrimi është në nivel edhe nga karakteret tjera dytësore. Skenari ka shumë vrima, hapësira që kanë mundur të zëvendësohen me mençuri, e sidomos fundi.

E kam zor të ju propozoj ta shihni apo jo. Ideja është inovative, ecën mirë, pastaj merr teposhtën që për dikë mund të jetë krejt e kundërt. Jo për mua. Nota personale: 3/5