Filma

Locke (2013) – Recensim

Një çast, një fjalë e vetme, apo edhe e kundërta e një fjale, një heshtje mund tu ndryshoj jetën përgjithmonë. Një udhëtim dy orësh do ti ndryshoj jetën Locke. Lidheni rripin dhe përgatituni për njërin nga udhëtimet më të veçanta që keni pasur.

Ivan Locke është nisur në një udhëtim nga Birmingemi për në Londër. Ai është menaxher i një projekti madhor konstruktimi në Birmingem, aty ku jeton me familjen e tij për të cilën kishte dedikuar jetën e tij. Por, një telefonatë do të sfidoj karrierën, familjen, dhe jetën e tij që ka ndërtuar çast pas çasti tërë jetën e tij.

Në këtë udhëtim nuk jemi të ulur në karrigen afër Lockes, apo mbrapa, apo në pasqyrën e tij. Jemi në çdo pjesë të veturës, të tregimit, të historisë e cila po na sjell në plan të parë, nga afërsia sfidën e një njeriut për të ruajtur atë që ka dhe që rrezikon ta humb ndoshta.

Skenari dhe regjia e Steven Knight është madhështore. Skenari nuk është shumë i gjerë në plan të parë, ngjashëm edhe regjia. Por, krejt kjo e bën më madhështore këtë film. Kjo thjeshtësi që mund të duket sikur një skice pikture në vështrimin e parë, me afrimin drejt saj, drejt vijave të kësaj skice mund të vëreni thellësinë që mban në vete.

Aktrimi i Tom Hardyt është i përkryer. Dhe kjo kur puthet me punën e shkëlqyeshme të Steven Knight sjell një vepër mjeshtërore të cilën do ta shijoni për 85 minuta, kohë që një pjesë e kufijve të vendit tonë e kalojnë çdo javë në tentim për të kapur pak njohuri në kryeqytetin që sfidon mitin e decentralizimit. Një mori dialogësh që do të ju prekin sa me kreativitet, aq edhe me emocionet duke ju shtyrë të ndjeni diçka që në fakt s’do të duhej të ndjenit, ndoshta.

Steven Knight dhe Tom Hardy sjellin një film që dëshmon se edhe me gjërat minimale mund të arrihen kryevepra. Nota personale: 5/5