Filma

Logan (2017) – Recensim

‘Hiqmu Hugh Jackman’ në fjalët e të famshmes presidente, do ta nisnim këtë recensim. Por, ngjashëm si gjithçka me ish-presidenten, edhe ky recensim do të ishte i dobët, negativ, dhe i pakuptimtë në çdo fjalë që shkruhet.

Largohu nga skena Hugh Jackman, kemi një Wolverine tjetër të preferuar!

Në të ardhmen e afërt, Llogan është duke punuar si vozitës afër Meksikës diku. Derisa bën një punë të zakonshme, duke provuar të qëndroj nën radar. Aty ai kujdeset për Profesor X, dhe një mutant tjetër – Kalibanin. Kastingu i Stephen Merchant për këtë rol ka qenë një vendim i përkryer për mendimin tim. Nejse, aty një grua takon Lloganin duke e njohur se kush është në fjalë, pas një aksidenti që kemi në fillim të filmit kur ky ‘rehaton’ disa banditë.

Gabriela, me vete ka edhe një fëmijë mutante, Laura. Ajo nuk flet, por kryen punë. Dhe paraqitja e saj me veprën që ka bërë është edhe një skenë e përkryer. Kastingu përsëri tregon mrekullinë në punën që bën. Fantastike ka qenë paraqitja e Dafne Keen e cila me shumë fjalë debuton në film. Dhe në një periudhë të afërt kur kanë debutuar ‘Stranger Things’, kjo arrin të lë mbrapa edhe Eleven. Së paku për mua. Për momentin.

Aktrimi i Merchant, Stewart, e Jackman – që të ngjan ndoshta më tepër se që duhet me Mel Gibson! – është i zakonshëm. E përmenda që pëzgjedhja e Merchant në rolin e Kalibanit ka qenë vendim i shkëlqyeshëm. Richard E. Grant vjen në rolin e një mjeku që është në ndjekje të Lauras. Prapë, kastingu!

Skenari ka qenë jashtëzakonisht i mirë. Edhe regjia hiç nuk mbetet mbrapa. James Mangold di si të punoj me X-Men. Ka qenë ndoshta filmi më i mirë i serisë deri tani. Dhe krejt kjo falë Mangoldit për mendimin tim.

Është një aventurë dy orëshe e mahnitshme. Më shumë se aksion, më shumë se shkencë fantastike. Është një dramë familjare e përkryer, e cila në raste ngadalëson, por është një pushim i nevojshëm, ngjashëm si rrugëtimi i tyre nga Meksika për në destinacionin e kërkuar. Nota personale: 5/5