Filma

London Has Fallen (2016) – Recensim

Temat aktuale të filmave aksion në masë të madhe kanë të bëjnë me terrorizmin. E njëjta gjë ka qenë edhe në vitet e 90’ta, e edhe në ato të ‘70ta. Gjithë çka që ka ndryshuar është ngjyra dhe aksenti që përdorin terroristët në filma. Pos aksentit, e njëjtë është edhe përmasa e dëmeve që bëjnë, dhe limitet që shkelin.

Edhe London Has Fallen është i ngjashëm. Bota terrorizohet dhe presidenti amerikan arratiset me rojën e tij besnike gruaja e të cilit është shtatzënë duke pritur fëmijën e tyre të parë. Dhe si zakonisht të gjithë janë kundër Amerikës. Pa marr parasysh që shumica e presidenteve vriten, një pjesë e Londrës shkatërrohet. Nejse krejt Londra, gjithçka që ju intereson lajmeve është vendndodhja e presidentit amerikan. Sepse në fjalët e Metallicas ‘asgjë tjetër s’ka rëndësi’!

Gerard Butler në rolin kryesor të rojës Banning, me Aaron Eckhart në rolin e presidentit. Të dy, sidomos Butler, duket se janë të lindur për kësisoj role. Pa shumë thellësi emocionale, goxha sipërfaqësisht ashtu sikur e lyp edhe skenari i cili mendoj që është shumë i cekët, i thjeshtë, pa ndonjë cilësi të konsiderueshme. Ndërkohë Babak Najafi po duket se po merr një zhanër të këtillë të filmave aksion me plot zell. Nuk kam ndonjë kritikë negative sa i përket regjisë pasi që arrin të ofroj ato imazhe që kërkohen nga ky lloj i filmit. Najafi mund të ketë një karrierë të mirë në filmat aksion.

Filmat si London Has Fallen nuk ofrojnë diçka të veçantë për filmdashësit. Megjithatë janë të nevojshëm për kinematografinë. Janë një relaksim me shumë shpërthime dhe vrasje, diçka që nuk kërkon një përqendrim të mendjes sa të syrit. Nota personale: 2/5