Filma

Lovelace – Recensim

lovelaceAmanda Seyfried vjen me rolin e karrierës së saj deri tani. Aktrimi në filmin ‘Lovelace’ ku ajo portretizon jetën e aktores së filmave të rritur, Linda Lovelace, është roli që e fut atë në mesin e aktoreve kushtimisht ‘të pjekura’ për shpërblimet e mëdha.

Karakteri i saj i shërben depresioni që ofron filmi, sidomos kur kujtojmë faktin që është i bazuar në ngjarje të vërtetë. megjithatë portretizimi i një karakteri të tillë kërkon përkushtim, punë, kurajë, guxim, dhe mbi të gjitha aftësi superiore aktrimi. Asnjë nga këto veti nuk mungojnë tek Seyfried në këtë film.

Linda Lovelace është një vajzë nga një familje tradicionale protestante amerikane. E vendosur për të shpërthyer në jetë, ajo bindet nga i dashuri i saj të futet në industrinë e filmave për të rritur. Paraqitja e saj në filmin e parë mahnit audiencën e këtij zhanri filmash duke i ofruar famë, pasuri, dhe realizimin e një ëndrrave për të qenë një yll shoubizi. Megjithatë ky sukses ka edhe anën negative.

Më pëlqeu fakti që filmi është i ndarë në dy kohështrirje. E para tregon të mirat që ndodhin në jetën e Lovelace, derisa kohështrirja e dytë tregon të këqijat. Kjo e dyta në fakt mohon gjithçka nga kohështrirja e parë që duket të jetë vetëm një fasadë sipërfaqësore e tregimit për opinionin e gjerë. Gjithashtu shërben edhe për mbylljen e filmit duke prishur atë bindjen fillestare për një tregim me fund të lumtur.

Skenari dhe regjia kanë bërë punë të mirë, sidomos kur kem parasysh që ka qenë një film periodik. Edhe kasti përkrahës ka qenë në nivel. Sharon Stone mahnit me paraqitjen e saj, sidomos në rolin e një nëne tradicionale religjioze amerikane, duke vënë në pah edhe një punë të shkëlqyeshme të departamentit të makijazhit. Ngjashëm edhe Robert Patrick nuk dëshpëron. Derisa pjesa tjetër e kastit ka emra si Hank Azaria, Juno Temple, James Franco, e Peter Saarsgard. Derisa tre të parët kanë role më minore, Saarsgard shkëlqen në rolin negativ të të dashurit dhe agjentit të Lindës, Çakit.

Rob Epstein që vjen kryesisht me përvojë në realizimi ne dokumentarëve bën punë solide. As skenari nuk është dëshpërues. Kur shtojmë edhe aktrimin kemi një projekt të realizuar mirë, që ia arrin qëllimit për të përshkruar ngjarjen, ndoshta më të madhen në histori të industrisë së filmave të rritur.

Film i ‘rëndë’, depresiv, megjithatë dramë e mirë që jep një mesazh se industria e filmave të rritur është më shumë një ferr se sa një parajsë, sidomos ngjarjet prapa skenave. Aktrim i shkëlqyeshëm nga Amanda Seyfried dhe Peter Saarsgard.

Luan Morina
Kritik për TV&Film