Filma

Manchester by the Sea (2016) – Recensim

Çdo njeri që takoni ka tregimin e tij, dhe nëse mendoni që dini diçka për të, atëherë dijeni që s’dini gjë! Ngjashëm është edhe tregimi për Lee Chandler. S’do të mësoni gjë për të nga ky recensim, sa do të mësoni nga filmi ndër më të mirët e vitit.

‘Manchester by the Sea’ sjell tregimin për Lee Chandler i cili detyrohet të kujdeset për nipin e tij pasi i vëllai ndërron jetë. Në kuptimin e plotë të fjalës është një rrugëtim i këtyre dyve pas ngjarjes së lartpërmendur, pa anashkaluar kërcimet para e mbrapa në kohë. Sado që mund të ju bëjnë konfuz, këto kërcime japin një këndvështrim më të thuktë për historinë që tregon filmi.

E historia është e përgatitur hollësisht duke sjell prekur vetëm majën e detajeve që vazhdojnë të mbajnë një mister në vete përgjatë gjithë filmit. Pa merak, gjithçka do të mësoni, ama s’do të ju vije i shërbyer në pjatë. Ky lloj ngacmimi i shikuesit me prekjen minimale të historive të ndryshme, na mban të lidhur me filmin derisa skicojmë vet ndodhitë eventuale që kanë mundur të ndodhnin. Dhe pastaj, ‘boom’!

Aktrimi pjek përfundimisht Casey Affleck të cilin e dërgon në elitën e aktorëve me paraqitje sipërore në filma, qoftë edhe vetëm një të tillë. Filmi i bazuar rreth karakterit të tij ndihmon në lëshimin e vëmendjes vetëm tek ai, por emrat që e shoqërojnë në këtë udhëtim, qoftë edhe nga larg, Kyle Chandler e Michelle Williams vetëm se kanë një bagazh të mbushur me role të karaktereve të cilat jetësojnë në këtë film.

Harmonia skenike me Lucas Hedge është jashtëzakonisht e bukur. Është një relacion mixhë-nip që nuk i ikën asnjë grimcë realitetit. Të dy janë shumë rehat në punën që bëjnë. Së paku duket të jenë dhe kjo me gjasë i jep hijeshinë dhe madhështinë që mbërthen në vete ky projekt filmik.

Ngjashëm si aktrimi i Casey Affleck e Lucas Hedge, edhe rrëfimi është tepër real. Është diçka që nuk i ikën normalitetit të këtyre situatave, përfshirë disa skena të papritura ndoshta nga shumica. Bash kjo është ajo që e bën të shkëlqyeshme punën e Lonergan të cilin e shohim edhe para kamerave në këtë film.

Është një tregim tepër, ama tepër emocionues. Afrimi me realitetin vetëm se tregon që të gjithë jemi njerëz që përdorim makijazhin dhe maskat. Maska e makijazh që na bën të dashur për shoqërinë, pa të cilat s’do të pranoheshim nga askush. Nota personale: 5/5