Televizioni

Mësuesi Sinan – m’sime televizioni (4)

Derisa një pjesë e tinejxherëve sot për ironi marrin thënien e karakterit fiktiv Sinan Dobreva, unë si fëmijë para viteve të tinejxherllëkut kam pasur një mësues me të njëjtin emër.

Sinan Vllasaliu ndoshta më ka dhënë mësimin më të mirë në jetë, akoma pa mësuar historinë fjalëshumë të popullit tonë.

Në Kosovën e par-luftës kanë qenë tri kanale serbe, dy maqedonase, dhe kohë pas kohe RTP me program minimal në shqip. Dihet çfarë redaksie ka qenë. TV Hana edhe TV Festa kanë qenë të parat që i kemi dëgjuar në shqip dikur kah mesi i ‘90tave. Programi i tyre që atëherë ka qenë katastrofal – përshëndetje dhe urime në ato kohëra të zymta. E di që ka qenë edhe një program ku bashkëatdhetarët telefonin dhe përshëndetshin familjet këtej. Ky ka qenë program i qëlluar, por për një fëmijë që akoma nuk kishte mbush 10 vjet, filmat e vizatuar edhe ndonjë muzikë melodike me rimë të pakuptimtë ka qenë parajsë televizioni. E kuptoni që jeni rritur kur ndalni këtë lloj muzike, jo filmat e vizatuar.

Edhe atëherë ka pasur këngëtarë që kanë shit dele, i kanë qu motrat në dasmën e asaj, e kanë prit lulijen te kroni, e kan thirr dashninë, e kanë vet Shazën ku osht kon, e edhe e kanë kall kejt. Janë kujtime të ankthshme. Shto edhe kësaj luftën dhe gjendjen e okupimit – s’di qysh jemi hala mirë me mend. Apo ndoshta edhe nuk jemi?!

Sinanin e mbaj në mend prej këngës ‘babi pse brengosesh’. Aty është Sinani i cili dëbohet nga puna, dhe vajza e cila, edhe pse tejet e vockël, nis ti jap përkrahje e ta kuptoj gjendjen nëpër të cilën po kalon prindi i saj i pa punë. Kënga ka tekstin e shkëlqyeshëm për duet, spot të mirë për ato kohëra, edhe arrin të përçojë mesazhin, qëllimin që e ka – së paku tek unë.

Gjendja ka qenë e tillë që shumica dërmuese kanë qenë pa punë, edhe në ato shtëpi të mallrave apo në treg me shumë shitës romë, lodrat prej ma të ndryshmëve s’kanë munguar. Fëmija si fëmijë lakmon edhe ka qejf me i pas të gjitha, shumicën, por të kuptoj që nuk duhet të kërkoj, edhe duhet të shtiret se nuk i pëlqen diçka nuk ka qenë mision i lehtë. Edhe ma vështirë ka qenë ndjenja kur prindi ka mundur ta kuptoj këtë kamuflazh të fëmijëve.

Nëse asgjë, kjo këngë më ka bo mu kon ma kursimtar me para, me ia ditë vlerën parave, punës, dhe prindërve. Ka qenë si bazë në konceptin që materializmi nuk është gjithçka, e nuk mund të vendoset para familjes e dashurisë të pastër, jo-materialiste.

Kanë qenë kohë të vështira, për shumë prej neve që jemi rritur në atë periudhë. Së paku kemi arritur të mësojmë gjëra të rëndësishme edhe nga këngët. Për atë, Sinani ka një respekt të veçantë tek unë, e edhe një falënderim të madh për atë këngë, për atë tekst, edhe për atë periudhë të hareshme që më ka dhuruar me këtë mësim tepër të rëndësishëm për mua.

https://www.youtube.com/watch?v=fRjVYiCPs3Q

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *