Milan

Milani – një jetë me…

Ka shumë alegori me të cilat mund ta përshkruaj dashurinë që ka një qenie njerëzore ndaj një ekipi sportiv. Dashurinë në përgjithësi, që për shumëkënd është një mit, një ndjenjë false me ngjyra materialiste në mungesë të shpirtërores. Gjynah ata të cilët nuk mund të ndjejnë dashuri. Qoftë edhe ndaj një ekipi sportiv.

Dashuria në shikim të parë është e mbivlerësuar. Sikur në serialet turke e latine – një ditë e keqe, me një diell vjeshte në të cilin je veshur për të mos u ngrohur mjaft në mëngjesin e hershëm me plotë vesë, por je veshur aq shumë sa që dreka të duket një skenë saune me ty si karakterin kryesor të djersitur, kah i cili karakter të gjithë kanë lëshuar sytë; dhe, megjithatë në këtë moment zatetesh në një njeri të bukur librat e të cilit/cilës bien në tokë, ti ulesh ti ndihmosh ti kap, pastaj ngrini kokën, ajo buzëqesh, ti mbetesh si hut, ajo prek flokët dhe i vendos mbi vesh dhe ta bën “Tung, unë jam…”, ti belbëzon dhe thua emrin tënd të kërthizës që duhet të jetë me gjasë Ramazan sepse ti ke lindur në muajin e shenjtë mysliman, por që të dyve ju tingëllon sikur Armandooo…

Por, dashuria nuk është e tillë. Lypet kohë për të mbijetuar, për të mbetur gjallë. Dhe ajo dashuri matet në momentet më të këqija, më të zymta, më të lodhshme të jetës tonë, momente që janë barabartë me momente të mira që përjetojmë, por na duket që zgjasin më shumë sepse të mirat kalojnë shpesh. E gabimin më të madh e bëjmë duke u brengosur për të këqijat, sa që humbim kënaqësinë maksimale prej të mirave. Këtë gabim e kam bërë shumë herë në jetën time, dhe do të vazhdoj ta bëj, pasi krejt kemi të meta.

Derisa të gjithë festonin titullin e vitit 2011 me një lojë tejet defensive, me lojtarë të plakur, me një kryesi që veçse përgatiste të shiste yjet, unë brengosesha për atë që do të vinte më pas. Dhe ja ku jemi, gjashtë vite më vonë, dhe e vetmja gjë që festonim ishin ndonjë Trofeo Berlusconi, dhe një superkupë e fituar në penallti.

Të jesh tifoz është gjëja më e mirë dhe më e keqe në botë. Të jesh tifoz i vërtetë është të kënaqesh me titullin, por gjithnjë ke mendjen një hap tutje. Njëkohësisht në momentet më të këqija mundohesh të gjesh rrugëdaljen nga kriza për ekipin, e jo për vetveten.

Kur je në kohë të zymta për ekipin dhe ‘ekspertët’ thonë ‘auuu, hala me ta je a? Ik se ju jeni t’dobët’, ti në vend që ti ofendosh mendimin që meriton ofendim, në vend që ti kujtosh krejt ato momentet e lavdisë që ke, hesht. Thjeshtë e shijon në vete si të mirën edhe të keqen e ekipit tënd. Kjo krijon një mburojë ndaj të tjerëve, ekspertëve të cilët kanë ndërruar ekipet më shumë se çorapet. Dezertorët që kanë lënë Milanin së paku në katër periudha që nga kur unë jam një pjesë e tyre.

Dashuria është të qëndrosh në momentet më të zymta. Dashuria e miqësia është që të qëndrosh pran mikut më të mirë edhe në momentet kur nuk është në ditët e tij/saj më të mira.

Shumica mund të mos e kujtojnë, por dikur luanim futboll me mëhallë, dhe jo futboll në PES apo FIFA. Futboll me topa 4sh e 5sha. Edhe ai që kishte topin ishte lojtari më i ‘respektuar’ në mëhallë. Ishte miku më i mirë për të gjithë, dhe lojtari më standard. Por, në momentin që i shpërthehej topi, ai më binte nga trendi, braktisej nga të gjithë.

Ngjashëm ndodh edhe me tifozët ‘fëmijë’ të cilët braktisin ekipin e tyre të zemrës, ngjashëm si këto çiftet që një muaj pasi dikush është ‘më i miri në botë’ bie në listën e të bllokuarve. Kjo s’është dashuri sa është ushqim ego, për të qenë i dashur nga të tjerët, i pranuar.

Dashuria për ekipin është ndryshe. Në të mirë e në të keqe, i qëndron afër dhe nuk jep fort arsye. Thjeshtë ngjyrat, këngët, loja, emri i një ekipi të fle në zemër. Emrat ndryshojnë, vijnë e shkojnë, por ekipi, dashuria mbetet e njëjta.

Derisa kam ditur 11shen e Milanit që nga ditët e para të tifozllëkut si fëmijë, nuk kam ditur emrat e pronarëve apo udhëheqësve jashtë fushe. Ajo 11she ka ndryshuar nga Baresi, Desailly, tek Sala, Chamot, Nesta, Stam, Onyewu, Favalli, Bonera, e Romagnoli. Do të vazhdoj të ndryshoj, lista do të zgjatet, dhe dhashtë Zoti ta dyfishoj e trefishoj këtë listë të lojtarëve.

Ngjashëm ndryshon edhe emri i presidentëve, trajnerëve, e drejtorëve teknik. Tani tek Milani po ka një ndryshim që për shumëkënd mund të duket si një kaos pasi prish rehatinë, komforin që disa prej nesh kanë pasur që nga ditët e para. Ka pasur ditë të mira, ka pasur ditë të këqija, por megjithatë Berlusconi për shumëkënd ka qenë një emër që ka sjell rehati. Ka dashur ekipin. Ka dashur ekipin që viteve të fundit nuk i pengonte të bënte vendime të llahtarshme. Derisa nuk dyshoj në ndjenjat, e as nuk mund të paragjykoj apo të vlerësoj ndjenjat e dikujt ndaj diçkaje, futbolli për biznesmenët zakonisht bie në plan të dytë. Edhe Abramovich e do Chelsean aq shumë sa që i ka huazuar një miliardë dollarë. Edhe Berlusconi e ka shitur për çmim dyfish më të lartë se Interi.

Dashuria që kemi ne tifozët për ekipin nuk është e njëjtë me dashurinë që kanë ata që ndajnë para për të blerë një ekip. Në rast se ndajmë 70 euro për të blerë këpucë, ato këpucë i ruajmë si sytë e ballit (edhe nëse qeni im i merr këpucët e kojshive për të festuar vitin e ri me shoqëri), e lëre më të ndajmë mbi 700 milionë për të blerë një ekip futbolli e të luash me ndjenjat e qindra milionë tifozëve.

Ata që hezitojnë për pronarët e rinj, le të kujtojnë vendimet të pafavorshme jo të pakta që kanë qenë sidomos viteve të fundit të ish-pronarëve, ojnat e Gallianit tek ardhja e Barbaras, ‘siamo a posto cossi’, arsyetimet se s’mund ta largojnë Constantin të cilin vet e kishin sjell.

Ata që presin Milani të fitoj gjithçka vitin e ardhshëm dhe në vitin 2030 të ketë 12 liga të kampionëve, le ta marrin veten më lehtë, më përtokë. Edhe me pronarët e rinj do të ketë probleme, humbje, transferime, trajnerë, e sezone të dështuara. Por, shpresojmë të jenë më të pakta si humbjet nga Frosinone e Crotone, ashtu dhe transferimet e Bertolaccave (i mbipaguar) e Mati Fernandezëve (huazim me të drejtë blerje).

Ata që dezertojnë nga ekipe tjera për një ‘aventurë’ deri të prekim fundin, as mos ti zbathin këpucët për të hyrë brenda. Ne ishim këtu me Nocerinon, Gugliempietron, Blomqvistin, Javi Morenon, e Emersonin. Bash që nuk e dini kush janë, nuk e keni vendin këtu.

Edhe një herë – emrat vijnë e shkojnë, Milanin mbetet Milan.