Filma

Miss Sloane (2016) – Recensim

Jessica Chastain është e hatashme!

Nëse kërkon aktore për karakter të fortë femër në rol kryesor, atëherë Jessica Chastain është në mesin e opsioneve më të mira. Ajo është e mahnitshme tek ‘Miss Sloane’.

E zonjusha Slloun është një lobiste e zonja në Uashington e cila duket se është në gjendje të kthej në favor të misionit të saj gati çdo politikan. Misioni i saj i radhës është ndalimi i miratimit të ligjit i cili do të kërkonte verifikimin e historisë para se të merrej leja për blerjen e armëve nga qytetarët. Por, gjatë pritjes së taksisë ajo takon një reporter i cili del të jetë lideri i grupit të kundërt. Kjo është kthesa e parë interesante në film, i cili di të jetë i mbushur me momente të këtilla, ndoshta edhe pak të tepruara. Nuk janë të tepruara momentet, kthesat, sa janë reagimet në to. Sikurse tregimi shkon një hap më tutje se ku duhej të ndalonte.

Pas atij takimi, zonjusha Slloun ndërron ekipin dhe tani është duke punuar për kalimin e ligjit. Nga kompania aktuale merr të gjithë, pos ndihmësen e saj kryesore e cila e lodhur nga skllavëria vendos ta lë, e të përballet me të. Këtë karakter e portretizon Alion Pill, derisa Gugu Mbatha-Raw është Esme, ndihmësja tek firma e re e zonjushës Slloun.

Derisa jemi mësuar të shohim Jessica Chastain në role të karaktereve të fuqishme, nuk jam mësuar të shoh Mark Strongun në rolin e karaktereve që udhëheqin kauza pozitive për njerëzimin. Zakonisht e shoh në rol më negative, jo që nuk ka role tjera. Por, më ka befasuar për të mirë, si shumëçka në këtë film. Megjithatë kur jemi tek aktrimi nuk mund të anashkalojë edhe dy nga veteranët që më kanë kënaqur, sidomos në seriale televizive me rolet e tyre – John Lithgow e Sam Waterston. Të dy kanë role goxha të kufizuara në skenë, por janë të ndërlidhur deri diku me tregimin.

E përmenda që skenari e tepron ndoshta me kthesa, ose më shumë me reagimet në to. Emocionet! Por, është mirë i shtrirë, diku-diku i tepruar. Kur kemi parasysh që në skenar ka punuar një fillestar, Jonathan Perera, për të cilin ky është skenari i parë në karrierë, atëherë del të jetë një punë e mrekullueshme. Për regjinë e John Madden nuk kam se çfarë të shtoj. Regjisori i disa nga filmave më të lezetshëm që kam parë – Marigold Hotel, dhe sidomos Shakespeare in Love, vjen me një vepër goxha mirë të realizuar.

‘Miss Sloane’ më ka pëlqyer, më ka befasuar për të mirë. Ka tejkaluar pritjet e mija. Nota personale: 4/5