Filma

Mission Impossible: Rogue Nation (2015) – Recensim

Të them të drejtën, nuk jam kushedi sa fans i franshizës ‘Mission Impossible’, apo në fakt edhe vet Tom Cruise. Por, si njëra ashtu edhe tjetra janë freskim i mirë kohë pas kohe për një filmdashës.

Filmi i fundit i ‘Mission Impossible’ nis me një adrenalinë goxha ekstreme derisa Ethan provon të zë një aeroplan në nisje dhe të futet në aeroplan derisa është në ajër. Si zakonisht Ethan është duke vepruar për IMF për të shkatërruar tani Sindikatën – një organizatë kriminele mashtruese që ka vendosur të shkatërroj IMF nga të gjitha anët. Rreziku i kanoset edhe nga vet trupi mbikëqyrës i IMF duke detyruar Ethanin të mbetet në hije edhe nga vet krerët e tij.

Tregimi nuk është kaq i kthjelltë dhe i thjeshtë. Me kalimin e kohës ngjarja veçse se komplikohet, misteri veçse shkon duke u thelluar, që e bën një film që na mban të lidhur deri në fund për shkak të trilerit që ofron. Është skenar i përpunuar shumë mirë, ngjashëm si një regji e kënaqshme për filma aksion me lëvizje të shumta si ky film. Christopher McQuarrie ka arritur të përshtatet mirë me Tom Cruise në projektet e tyre të fundit, por asnjë nuk ka arritur, dhe nuk besoj që do të arrij ‘The Usual Suspects’.

Tom Cruise si zakonisht sjell Ethan Hawke në një rol goxha dinamik duke sfiduar jo vetëm moshën, por edhe zhvillimet teknologjike të përdorura në simulimin e veprimeve në shumë filma. Karakteri i tij duket më i pjekur, deri në një masë në këtë film, por përsëri ka një karakter femër për ta shpërqendruar vazhdimisht nga misioni i tij. Kësaj radhe ajo është ‘mbretëresha e bardhë’ Rebecca Ferguson. Nëse nuk njiheni me karrierën e saj para kamerave, atëherë provoni ‘The White Queen’. Derisa në ekran të madh, mendoj me bindje të thellë që ‘Rogue Nation’ mund të jetë vetëm fillimi i një karriere të pasur të saj. Simon Pegg, Jeremy Renner, Ving Rhames, e Alec Baldwin janë pjesë e kastit dytësor duke kryer një punë të mirë aktrimi.

‘Mission Impossible: Rogue Nation’ është një film që kombinon për merak të gjitha elementet e një filmi të kënaqshëm aksion. Ka një adrenalinë që prek këto elemente duke na mbajtur si shikues përgjatë tërë 130 minutave që rezultojnë me një film të mirë. Nota personale: 5/5