Journal

mjalte luledielli

E quanin mjaltë. Veçse kjo mjaltë bëhej nga vet ne, duke përzier një numër lulesh të verdha të cilat i quaja luledielli kur isha i vogël. Ngjanin në diell. Ashtu mu dukeshin mua. Ashtu e vizatoja diellin. E ngjyrosja pastaj me ngjyra të ujit. Temperat ishin një arritje supreme për çdo filloristë të ulët.

Nuk ishte hera e parë që mjaltë kishin bërë njerëzit. Kishte ngjarë vite më parë. Do të ndodhte vite më pas. Por, kësaj radhe ‘luledielli’ s’do ishte pjesë përbërëse e kësaj mjalte. Nganjëherë i ngucja hundën në mëngjeset e hershme kësaj gjumasheje që s’dinte të ngopej gjumë. I veja disa lule si një kurorë mbretëreshe. I ngjyrosja ato faqe rrumbullake me lulet që lëshonin ngjyra të llojllojshme. Por, jo sot.

Zgjohem edhe pse dielli akoma nuk ka shpërthyer nëpër kapakët e dritareve për të më prishur gjumin si alarmi im i dytë më i preferuar. Për çudi jam vetëm. Ajo nuk gjëkundi. Zakonisht kur ka turbullirat e mëngjesit në tremujorin e parë si çdo shtatzënie, jemi të dy zgjuar. Me nxitim nisem ta kërkoj, por nuk vonoj shumë. E shoh në oborr, në barin e prekur nga vesa derisa luan me qenin. Lehtësim.

Jashtë, e vështroj nga larg. Flokët e pakrehura, këmishën e bardhë të gjumit, të gjatë deri në gjunjë. Është pak herët ndoshta, por jo për dikë që ka ëndërruar të jetë burim jete për dikë që nga kur e mban mend. I ka hije. Shumë i ka hije.

Qeni ia ka krisur gjumit, derisa macja më afrohet me stilin e saj të joshjes. Duket si gjynahe. E shikoj me rezervë. E di që macja është e para që ushqehet në familjen tonë. Gjëmon në heshtje derisa më hip në prehër derisa vazhdoj ta vështroj në heshtje atë. Derisa lëmoj macen e cila lëshon një aurë qetësuese, mbyll sytë dhe nuhas atë aromë mëngjesi pranvere.

Dëgjoj një zë.

‘Kqyre, kqyre, gjumashin.’

Hap sytë. E shikoj dhe si çdoherë nuk mund të them asnjë fjalë. Sa herë e shoh, bukuria e saj më mahnit. Më mbyll gojën. Më vë organizmin në pushim. Organizmin pos zemrës. Dëgjoj të rrahurat e saja. Qetë. Butë. Buzëqeshi.

Vazhdoj të më thumboj me fjalë. Në krahun e djathtë ka një shportë. Me gjasë ka mbledhur vezët. Këmisha i duket për merak. Duket aq magjishëm sa që s’di kah t’ia nis. Çfarë ti them. Në moment më ndizet ajo llamba e Tommyt dhe Jerryt në kokë.

Filloj këngën.

‘Kur më vjen gruaja nga stani, kur më vjen… kur më vjen… kur më vjen… fër-fër-fër i bën fustani, fër-fër, fër-fër…’

Ndalon së foluri. Picërron sytë. Buzëqesh. Dhe sa herë që buzëqesh, faqet e saja si top i skuqen. Si rrjedhojë kurrë s’mund të fsheh buzëqeshjen. Dashurinë. Buzëqesh. Me dorën e majtë kalon flokët nëpër veshin e majtë.

Do i shkonte për merak një ‘luledielli’ mjalte. Porse tash, luledielli do të vendosej në mjaltë. Një mjaltë e cila shumë shpejtë do të bëj një mjaltë tjetër. Një mjaltë që do ta quajmë…

Alicia ka kry xhirimet për filmin ‘Tulip’ i cili shumë shpejt vjen në kinema. Nuk besoj që do të jetë filmi i saj më i mirë, e as i fundit. Ngjashëm kjo pjesëz që (s)osht shkru për to, nuk osht ma e mira, ama osht e fundit.