TV Reviews

Mom – Sezoni 4

‘Mom’ nuk është vetëm komedi. Nuk është as komedi e errët, angleze. Është thjeshtë një dramë më e shkurtër se zakonisht e cila sjell një shtresë të njerëzve me jetë që në letër do të duhej të ishte e zymtë, por këtu është e mbushur me skena komike.

Edhe ky sezon ka qenë i mbushur me ngjarje aspak komike. Përkundrazi. Sidomos skena e fundit e këtij sezoni arrin kulmin e këtij kombinimi ‘jo-normal’.

Një vlerësim i lartë do të duhej të shkonte për skenaristët të cilët nuk e kanë të lehtë të sjellin një përzierje të këtillë në televizion. Në një episod ke dikë që vdes nga mbidoza, në tjetrin vazhdojnë të qeshurat. Këtë episod një ish-alkoolike nuk mund të bëhet nënë, në tjetrin ajo është pjesë e të qeshurave. Në një episod është jo-alkoolike, e shëruar; në tjetrin i është kthyer të vjetrës. Është një komedi që të luhat në të dy qoshet e emocioneve në disa prej episodeve.

Aktrimi edhe këtë sezon mbetet në nivel të lartë. Harmonia në skenë e Anna Faris e Allison Janney është e mrekullueshme. Vazhdon të jetë. Me më pak hapësirë për fëmijët e Kristit, është bërë më shumë hapësirë për shaka dhe ngjarje jo-familjare. Kalimi i Jaime Pressly në kastin e rregullt ka qenë hap i mençur. Ka arritur të përshtatet mirë me grupin.

Ky sezon ka qenë më i pasur edhe me karaktere mysafire. Chris Pratt, Rosie O’Donnell, dhe veterani i JAG, David James Elliott, kanë parakaluar nëpër episode e periudha të ndryshme. Disa prej tyre me karaktere goxha interesante që edhe kanë ‘nxehur’ skenarin e tregimin. Sidomos historia e Bonit dhe Xhaninës. Kanë mbushur atë hapësirën e lënë bosh nga disa karaktere të cilat kanë lëvizur me ndryshimin e tregimit. Është një ndryshim i mirëseardhur.

Seriali vazhdon të jetë ndryshe nga komeditë tjera. Ka një rëndësi të madhe, ka një qëllim, mesazh human. Mirë që është vazhduar edhe për një sezon. Nota e sezonit: 4/5