Filma

Moonlight (2016) – Recensim

Një vepër në tri akte që provon të sjell vuajtjet dhe sfidat që pëson një i ri zezak me mendime ‘konfuze’. Shkurtimisht kështu do të mund të definonim filmin ‘Moonlight’. Por, ka më shumë në vete. Filmi sjell tregimin për një djalë i cili është në rrugëtim të zbulimit të vetvetes. Ky rrugëtim ndiqet nëpër tri etapa – si fëmijë i vogël, adoleshent, dhe i rritur. Nëpër të tri etapat e ndjekin probleme të ngjashme, por mbi të gjitha është ai kryesori – njohja e vetvetes.

Derisa është konfuz me atë se çfarë po ndodh me të, pse bota rreth tij nuk është e njëjtë me të veten, ai torturohet fizikisht e psiqikisht nga vetvetja dhe të tjerët. Është një tregim për një djalë homoseksual afrikano-amerikan i cili nuk mund të bind as vetveten për këtë fakt. Në këtë mënyrë provohet të thyhet tabuja e kësaj pjese të shoqërisë, një mision që për mendimin tim përmbushet me sukses në këtë film.

Skenari është mirë i shkruar. Regjia edhe më e mirë. Por, mbi të gjitha shkëlqen aktrimi. Mahershala Ali ka pasur vitin e tij të karrierës deri tani. Sjell një mentor jo-adekuat për karakterin kryesor, por jashtëzakonisht ndihmues. Ai është i martuar me karakterin e Janelle Monae, e cila ka përjetuar ndoshta një vit të ngjashëm me atë të Mahershala Ali. Si karaktere në vete, ashtu edhe në harmonik skenike, që të dy i japin shije të bukur filmit.

Sidoqoftë, aktrimi më i mirë mbetet nga Naomie Harris. Ajo vjen në rolin e nënës së karakterit kryesor. Është një infermiere abuzuese e narkotikëve dhe aspak e kujdesshme për të birin. Distanca, largësia në relacionin nënë-bir vërehet përgjatë tërë filmit, edhe në trajtën pasive që ka ndaj të dy karaktereve në fjalë. Është një zotësi skenari që jetësohet edhe nga aktrimi i Harris.

Në përgjithësi, thashë që filmi ia del të realizoj qëllimin me mjaft sukses. Është një film mirë i organizuar. Por, nuk është filmi më i mirë i vitit. Nota personale: 4/5