Filma

Mother! (2017) – Recensim

Darren Aronofsky di të ngacmoj trurin tonë. Nganjëherë edhe di të luaj me nervat tona, me durimin tonë. Tek ky film ai i bën të dyjat. Sa luan me trurin tonë, aq edhe sfidon durimin tonë për dy orë në një tregim i cili çdo moment që kalon bëhet më i çuditshëm dhe i pakuptimtë.

Pos ngacmimeve të zakonshme të tija, kësaj radhe Aronofsky me gjasë ka shkatërruar edhe ëndrrat për dikë të martohet me ndonjë shkrimtar. Tregimi tek ‘Mother!’ zhvillohet në një shtëpi të izoluar nga njerëzimi. Ose së paku nga ndërtesat tjera. Diku ne egërsi, Nëna jeton me burrin e saj i cili është duke provuar të përfundoj librin e tij të radhës, derisa ajo provon të rinovoj shtëpinë ashiqare të vjetër në të cilën jetojnë. Por, burri është shumë bujar dhe hap derën për të gjithë. Për gjithçka. Është një altruist i tepruar, dhe kjo në një mënyrë lëndon, dëmton vet nënën.

Filmi vjen nga sytë e Jennifer Lawrence. Kamera e ndjek atë dhe na shfaq vetëm dy gjëra përgjatë krejt filmit pothuajse – fytyrën e Jennifer Lawrence, dhe atë që sheh ajo. Është film i Jennifer Lawrence, dhe ngrit aftësitë e saja të aktrimit në një nivel edhe më të pakapshëm. Tashmë e nominuar tre herë dhe fituese e një Oskari, Jennifer Lawrence po shndërrohet në një Meryl Streep sa i përket Oskarëve, veçse më e mirë! Po, shumë më e mirë se Streep, dhe më pak politikane! Meriton të nominohet, por ka gjasa që të mbetet në plan të dytë tek nominimet. Kjo s’mund të lëndoj aspak aktrimin e saj të mahnitshëm në këtë film.

Aspak më keq nuk mbetet as Javier Bardem! Karakteri i tij nis të plas pak me mirësinë e tij të tepruar, por kjo vetëm sa shfaq aftësitë e tij të zellshme prej aktori. Pjesa tjetër e kastit ka minuta goxha të kufizuar, por bëjnë rolin e tyre siç duhet. Ed Harris e Michelle Pfeiffer vijnë sikur prindërit e Domnhall e Brendan Gleeson. Pastaj kemi një autobus, apo tren me role tjera me zhvillimin e tregimit.

E tregimi është i çuditshëm. Sidomos nëse nuk e dini qasjen që i ka bërë Darren Aronofsky. Po të përmend ngjarjen, ose çfarë portretizojnë secili karakter do të ishte spoiler. Por, le të themi që ka lidhje biblike, veçse shumë ama shumë më mirë e shtjelluar se herën e kaluar tek ‘Noah’. Ndoshta për këtë arsye edhe shumica e publikut nuk e vlerëson lart filmin ‘Mother’, pasi thjesht nuk e dinë tregimin dhe domethënien. Nëse e shihni për herën e dytë do të jetë shumë më i kuptueshëm, dhe madhështor. Nota personale: 5/5