Filma

Mr. Smith Goes to Washington (1939) – Recensim

Vitin e kaluar, kësi kohe, në një dhomë në Dragash, dy kushërinj po debatonin për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Të dy debatonin se si në organin që ka 120 vende s’do të mund të kishte asnjë njeri të përcillte brengat e tyre. Ngjashëm ishte edhe në qytetin më të ndotur në vend, në Obiliq; në qytetin e dytë më të ndotur në vend, në Han të Elezit; si dhe në pesë komuna tjera. Të gjitha vuanin për një Jefferson Smith, i cili do të mbronte me ngulm interesat dhe do të qante hallet e tyre.

Po flitet për reformën zgjedhore e cila do të japë edhe më shumë qasje të drejtpërdrejtë në atë që zgjedhim, duke nisur edhe nga lagjja jonë. Skepticizmi, ngjashëm si për krejt proceset e tjera që janë dashur të kryhen është i madh. Edhe më i madh është skepticizmi që do të del një Jefferson Smith.

Në njërin nga shtetet e SHBA-ve, që nuk përmendet me qëllim pasi vet filmi ka qenë një ngjarje kontroverse atëbotë në SHBA, pas vdekjes së senatorit, guvernatori duhet të zgjedh një zëvendës të tij. I ngujuar ndërmjet zgjedhjes së komitetit në njërën anë dhe ‘bosit’ të tij në anën tjetër, guvernatori hedh një monedhë e cila kur mbetet pingule, vendos të dërgoj një njeri që ka bërë shumë për komunitetin, por që nuk ka përvojë në politikë – Jefferson Smith.

Me të arritur në Uashington, Smith merret nga miku i babait të tij të vdekur, senatori Paine për ta udhëzuar në profesionin e ri. Si një axhami, Smith beson në sinqeritetin e politikanëve në fillim, për të ndërruar mendimin sa vazhdon e zhytet në botën e politikës. Puna e tij has në qorrsokak kur nis të veproj kundër interesave të ‘bosit’ të tij, i cili si pronar i gazetave nis të keq-informojë opinionin në vendlindjen e Smith për të nxitur popullin të votojnë kundër tij.

Është një dramë e ngjyrosur me komedi që rrjedhë nga axhamillëku dhe naiviteti i Jefferson Smith, realizuar nga dy prej emrave më të mirë të kinematografisë klasike amerikane – Franc Capra si regjisor, dhe James Stewart në rolin kryesor. Përkundër pritjeve kontroverse në fillim, filmi ka dalë të jetë si sukses komercial, ashtu edhe sukses artistik duke u vlerësuar si njëri nga filmat më të mirë ndonjëherë.

Si film me rëndësi të madhe kulturore e historike, ‘Mr. Smith Goes to Washington’ është i përzgjedhur në mesin e filmave që duhet të ruhet nga Regjistri Kombëtar Amerikan i Filmit. Është një film që mund ta quajmë ‘fantastiko-shkencor’, imagjinar, pasi është e pamundur të gjejmë një Jefferson Smith sot jo vetëm në SHBA, por sidomos tek ne. Është një film që do të na dëshpëroj ndoshta nga realiteti, por në të njëjtën kohë do të jetë frymëzim. Nota personale për këtë kryevepër kinematografike: 5/5