TV Reviews

Na

A… B… AB… 0…

Thonë që gjithçka është në gjene, apo siç populli në gjak.

Është një vepër e autorit disident turk, Nazim Hikmet, ‘Gjaku nuk flet’. Ka qenë kënaqësi të lexohet, edhe pse autori nuk arrin të përfundoj veprën për shkaqe personale…

Presin trinjakë. Tri foshnje, e me vështirësi kanë bërë kushtet adekuate për të sjell në jetë një foshnje e cila do të vinte papritur. Trefish më shumë harxhime, trefish më shumë hapësirë, por mbi të gjitha trefish më shumë hare.

Por, hareja e tyre do të ndalej pak më tutje gjysmës së rrugës. Foshnja e tretë lind e vdekur! Megjithatë Zoti vepron në mënyrë misterioze. Dhe atë ditë në spitalin e lindjes sjellin një foshnje e cila ishte lënë në dyert e stacionit të zjarrfikësve. Është një djalë zezak, dhe adoptimi i tij nga një familje e bardhë në Amerikën e asaj kohe do të ishte një ‘skandal’. Por, Xheku dhe Rebeka nuk janë njerëz që u dorëzohen paragjykimeve të shoqërisë. Nuk janë as njerëz që u dorëzohen fatit dhe goditjeve të jetës, të cilat dinë të rrënojnë edhe kështjellat më të mëdha, por jo një shpirt njeriu. Jo një shpirt bashkëshortor, familjar si Pirsonët.

Ata që nuk e kanë pa ‘This Is Us’ janë duke humbur njërën nga seritë më të mira të viteve të fundit. Dhe kjo është më shumë për ata që pëlqejnë dramën e më pak për fansat e aksionit e fantashkencës – The Walking Dead e Game of Thrones për shembull.

Familja e përmendur më lartë zhvillohet në disa etapa. Nuk është seriali i përqendruar në vitet e 80ta kur edhe lindin fëmijët në fjalë. Kërcen menjëherë në kohën e tashme, 2016-17, ku të gjithë janë gjallë pos Xhekut. Nuk është Spoiler sepse e mësoni qysh në episodin e parë e të dytë që ai ka vdekur. Si ka vdekur? Këtë s’do ta mësoni as deri në fund të sezonit të dytë me gjasë. Por, besomëni që s’do të dëshironi ta mësoni.

Gati çdo episod përmban ecje në kohë, kërcim nëpër periudha të ndryshme. Ditët e para të trinjakëve, ditët e njoftimit të Xhekut e Rebekës, ditët e fëmijërisë së tyre, ditët e fëmijërisë së trinjakëve, ditët e adoleshencës së tyre të hershme dhe të vonshme. Nuk është e komplikuar aspak. Përkundrazi është diçka që do të dëshironi të shihni sa më shumë.

Është një serial me tregim të thjeshtë, por me shumë ngjarje jashtëzakonisht të thjeshta dhe njerëzore! E di që tingëllon pakuptim, por ngjarjet janë shumë lehtë të mundshme, megjithatë na mësojnë diçka si neve edhe karakteret, diçka që nuk kemi menduar se do ta mësonim. Së paku jo në vete.

Nuk është filozofik, por jep një filozofi mbi jetën të cilën nuk keni mundur ta mësoni në vitin e vetëm në shkollë të mesme, nga biografia e asnjërit filozof. Nuk është filozofi, është jetë. Është diçka që ka të bëj me neve. Me njerëz.

Dhe këtu mund të shihni disa nga njerëzit më të mirë që mund të mbaj kjo planetë. Janë karakteret nga më të dashurat që mund të keni parë në televizion, dhe janë shumë larg të vërtetës ndoshta. Mund të duken ashtu, por, personalisht njoh karaktere të këtilla. Karaktere të cilat vdesin në jetën reale duke provuar të farkëtohen për tu përshtatur shoqërisë ‘moderne’. Këto karaktere mund të japin pak shpresë për ata që janë në qoshe të shkapërderdhjes individuale.

E ata që e kanë pa edhe episodin e fundit, pos që e dinë se për çka e kam fjalën më lartë, kanë edhe një pyetje të thjeshtë? Deri kur mund të zhvillohen këto karaktere, secili në mënyrën e vet, secili në boshtin e vet të rotacionit dhe revolucionit.

Sa thellë mund të shkoj skenari nuk kemi idenë. Por, e kemi të qartë që ky është seriali më zemër-ngrohës që mund ta shihni në televizion për momentin. Zor që ka pasur diçka të këtillë më parë. Zor që ka pasur kësisoj karaktere, aq të dashura. Karaktere që na bëjnë të dyshojmë në paragjykimet tona për njerëzit. Karaktere që na bëjnë të ndihemi më njerëz. E pa marr parasysh grupin e gjakut, na të gjithë jemi njerëz.

Na jemi në secilin në ‘This Is Us’.