Filma

Network (1976) – Recensim

Mirëmbrëma. Sot është e premte, 1 qershor, dhe ky është shkrim im i fundit!

Pak më ndryshe thotë, Howard Beale, i cili ka qenë prezantues i lajmeve kryesore të kanalit UBS TV, si njeriu me përvojë në qytet, ka marr 28% të shikuesve, apo 16% të popullsisë së tërë në vitin 1968. Një vit më vonë, ai ka rënë në 22% të shikuesve. Një vit më vonë, vdes gruaja e tij, dhe mbetet me 12% të shikuesve. I izoluar, ai nis të pijë dhe më 22 shtator të vitit 1975, ai përzihet nga puna.

Rejtingu, ndryshe nga ai i IMDB-së, i serive dhe përqindja e shikueshmërisë matet rregullisht në SHBA që kanë 118.4 milion shtëpi me televizor. Vetëm 40 mijë prej tyre përcaktojnë shikueshmërinë totale. Tek ne në Kosovë, shikueshmëria nuk matet, dhe si pasojë kemi programe e televizione të pështira në etër. Nganjëherë ka sondazhe, të cilat rrallë janë të paanshme. Ky që po e bëjmë me Maniakë të Televizionit nga sot deri më 10 qershor, është ndër më të pavarurit që mund ta gjeni, prandaj është mirë të tregojmë se çfarë nuk ka vend në televizorët tanë, të cilët më shumë po i mbajmë të fikur për shkak të ‘cilësisë’ së programeve se sa për shkak të tarifave të KEDS-it.

Howard Beale, duke humbur veten arrin të kthehet në një personalitet interesant për publikun. Ngjashëm sikur tek ne, kemi shumë personalitete me të cilat bëjmë shaka e qeshim. Na bëjnë të ndjehemi mirë ndoshta pasi shmangin vëmendjen nga ne dhe krejt atë potencialin që kemi për t’u qeshur nga dikush tjetër?! Por, për dallim prej ‘yjeve’ të televizioneve tona, Howard Beale e gjen ‘rrugën e drejtë’. Audienca çmendet pas tij, dhe shikuesit nisin të kthehen. Në një çast, Howard fton të gjithë të dalin në dritaret e tyre dhe të bërtasin se janë ‘janë çmendur dhe se nuk do të durojnë më’! Çfarë nuk do të durojnë?

Dyzetedy vite më pas, shikueshmëria jo, por ‘llajkat’ përcaktojnë cilësinë. Llajkat e sjellin botën, dhe nëse nuk ka llajka, nuk ia vlen të postohet. Për llajka, në vend të këtij recensimi, do të duhej të postohej një fotografi e ‘How High’ dhe do të bënim gjumë më të mirë! (S)është e vërtetuar se pas një dite me shumë llajka dhe komente bajate ndaj liderëve të ndryshëm, të urtë, gjumi është më i këndshëm se në një dormeo dyshek!

Network është një film largpamës, i cili portretizon në mënyrë të përkryer cinizmin dhe hipokrizinë e mediumeve ‘të pavarura’ të cilat kthehen në mjete propaganduese, duke devijuar nga misioni i shenjtë i informimit të pavarur. Më qartë portretizon mentalitetin e cekët të njeriut që para diturisë dhe lodhjes së trurit, zgjedhim dramën sipërfaqësore që na jep halucinacionin e argëtimit, por që në vete përmban një vetkënaqësi enorme. E frikshme është paralelja që mund të hedhet ndërmjet këtij filmi të vitit 1976, dhe televizioneve e mediumeve të vitit 2018. Është një kryevepër e Sidney Lumet me një aktrim të mahnitshëm të Peter Finch, i cili mbërthen fjalimet e gjata që mund të veçohen si mësimet më të mira jetësore që mund të keni marr ndonjëherë nga filmi. Faye Dunaway, William Holden, e Robert Duvall bëjnë për merak detyrat e tyre. Nota personale: 5/5