TV Reviews

New Girl – Sezoni 7 (me spoilera)

Shkurt dhe mirë. Me sezone të këtilla do të mjaftonin edhe tri-katër sezone të ‘New Girl’ ndoshta. Por, thelbi është shterur moti kohë, dhe ky sezon shërben si një përfundim i duhur për këtë serial. Që Nick dhe Jessica do të përfundojnë së bashku është ditur moti kohë. Dhe ai kërcim në kohë në tre minutat e fundit të episodit të fundit, ishte diçka që më pëlqeu për të përmbyllur në tërësi këtë histori.

Edhe ky sezon kishte ngjarje të këndshme, më pak komike, dhe më shumë romantike e familjare të them. Secili nga tetë episodet kontribuonte në fundin e serisë, dhe gjatë këtij udhëtimi dy karaktere kanë qenë që i kanë dhënë komedinë dhe të qeshurat këtij sezoni. Dhe ky sezon ka vlejtur të shfaqet vetëm për fëmijën e CeCe dhe Schmidt. Ajo është një ndër fëmijët më të ëmbël në televizion, dhe me një aktrim të shkëlqyeshëm për moshën e saj, ofron linja mirë të përshtatura për të, të cilat janë ndoshta edhe pjesa e vetme komike e episodeve përkatëse. Dhe karakteri i dytë është Winston. Episodi me macen nisi me një zymtësi brengosëse, për të kaluar pastaj në pjesën komike, e cila përfundon me shakanë e dëbimit nga apartamenti, dhe zhgënjimin e Winstonit në jo-dedikimin e mjaftueshëm të Nick dhe Jessica. Edhe Schmidt pati momentet e tija komike, kryesisht në dëm të Nickut, sidomos në ‘roast’-in që i bëjnë atij bashkë me Winstonin.

Tetë episode nuk janë shumë për ata që i kanë parë gjashtë sezonet e kaluara. Nuk janë special ndonjë gjë, por është një mënyrë e përkryer për të përfunduar këtë serial. Nota personale e sezonit: 4/5. Nota personale e serialit: 3/5