lomsh

Nocturnal Animals (2016) – Recensim

Kafshë nate! Lakuriqët! Xixëllonjat! Njerëzit!

Asnjërën nga këto nuk mund ti gjeni në film. As njerëzit ‘e zakonshëm’! Karakteri i Jake Gyllenhaal është ish burri i Amy Adams. Tani kjo është martuar me një burrë tjetër pasi ka qenë e zhgënjyer nga burri i saj i parë, pra karakteri parë i Gyllenhaal, Edward.

Derisa martesa e Susan (Amy Adams) po rrënohet ndihmuar pak edhe nga kriza financiare, ajo merr një dhuratë nga ish-burri i saj, një manuskript novele më ndryshe nga ajo që kishte shkruar ai më parë. Me të hapur dhuratë ajo pret gishtin që është shenja e parë në atë rrugëtim vikendi që do të trazoj edhe atë pak qetësi që ka.

Bazuar në novelën e Austin Wright, skenari i filmit sjell dy botë – atë aktualen në të cilën lexon Susan, dhe botën e novelës së Edwardit. Që të dyja vijnë nën rrëfimin e karakterit të Susan duke vendosur karakterin e Edwardit vetëm në rol pasiv. Është vështirë ndoshta të kuptoni këtë, dhe shumëçka tjetër në film. Jo të kuptoni, por të qartësoni ndoshta, pasi filmi ngarkon goxha mendjen tonë, e sidomos me përfundim të tregimit.

Filmi nis pak qetë, zymtë, për të kaluar në një shkallë nxitimi qysh në momentet e para që Susan nis të lexoj novelën. Dhe që nga aty është diçka që nuk mund ti ndaheni, deri në fund. Ju thith brenda, kryesisht novela e Edwardit më shumë se ndikimi që ka tek Susan.

Aktrimi i Jake Gyllenhaal është asgjë nën të zakonshmen që ofron ai duke qenë në ajkën e aktorëve të së tashmes. Ajo që befason për mrekulli është aktrimi i Michael Shannon e Aaron Taylor-Johnson. Është aktrim fenomenal nga këta tre të cilët okupojnë një kohë të vlefshme përgjatë filmit. Në anën tjetër, Amy Adams nuk ka shumë ndikim në tregim, sa ndikohet nga tregimi që shtjellohet. Për atë arsye disi mbetet në plan të dytë paraqitja e saj. Së paku mua më është dukur ashtu.

Është një film që kërkon përqendrimin tuaj maksimal, në çdo detaj, ashtu siç i bën Ford. Pos të shihni filmin, keni edhe shumë punë për të bërë, për të lidhur ngjarjet, personat, lokacionet, deri në detaje. Edhe më mirë mund të hiqni dorë nga kjo dhe vetëm të kënaqeni me ato dy orë filmi dhe të mbaroni me këtë tregim. Është më lehtë. Në fakt do të kënaqeni më shumë kështu. Përndryshe është një film që ia vlen ti humbni dy e katër orë nëse është e nevojshme. Nota personale: 4/5

 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *